1Unë jam vjollcë Sharoni, lilak lugine jam unë.
2Si lilak mes drizash, ashtu është mes vajzash mikja ime.
3Si pema e mollës mes pemëve të pyllit, ashtu është mes djemve i shtrenjti im. Me ëndje nën hije të tij u ula e fryti i tij qiellzën ma ëmbëlton.
4Te qilari i verës mua më çoi e mbi mua ngriti flamurin e dashurisë.
5Mbamëni me kuleç rrushi të thatë, përtërimëni me mollë, se më flashku mua dashuria.
6Me dorën e majtë kokën ai ma mban e me të djathtën më përqafon.
7Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit, pash sorkadhet a sutat e fushës: mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë deri kur t'ia ketë ënda.
8Një zë! I shtrenjti im! Ja, po vjen, duke u hedhur nëpër male, duke u tundur nëpër kodra.
9Ngjan si kaproll, i shtrenjti im, ose porsi zog drenushe. Ja, rri prapa murit tonë, nga dritarja ai përgjon, përmes hekurash vështron.
10Flet i shtrenjti im e më thotë: «Ngrihu, mikja ime, bukuroshja ime, e eja!
11Se, ja, dimri iku e vate, pushoi shiu e kaloi,
12çelën lulet nëpër ara, erdhi koha për të harrur e nëpër korijet tona zëri i turtullit dëgjohet.
13Fiku i poqi kokrrat e para, çeli hardhia e po erëmon: ngrihu e eja, mikja ime, bukuroshja ime, eja!
14Oh, pëllumbesha ime, që nëpër plasa shkrepash fshihesh e nëpër strofkat e rrëpirës, shfaqma mua pamjen tënde, jepma tingullin e zërit tënd, se zëri yt i ëmbël është e joshëse është pamja jote.
15Na i zini neve dhelprat, na i zini dhelpërushët, që vreshtat po batërdisin, vreshtat tona luleçelur».
16Imi është i shtrenjti im, edhe unë jam e atij, që kullot përmes lilakëve.
17Pa pushuar era e ditës e para se të zhduken hijet, kthehu, o i shtrenjti im, si kaproll, si zog drenushe, në bjeshkët erëmira.