1Mjeshtrit të korit, për zëra të lartë. Psalm i Davidit.
2Të përlëvdoj me gjithë zemër, o Zot, dhe tërë veprat e tua të mrekullueshme rrëfej.
3Me ty gëzohem e ngazëllohem dhe emrit tënd i këndoj, o i Tejlartë!
4Kur tërhiqen pas, armiqtë e mi pengohen e zhduken nga prania jote.
5Se ti i dhe të drejtë çështjes sime, i ulur në fron si gjykatës i drejtë.
6Kombet i qortove, të paudhët i shkatërrove dhe emrin e tyre përgjithmonë e fshive.
7Armiqtë morën fund, u rrënuan përjetë; qyteteve u vure plojën, askush nuk i kujton.
8Por Zoti qëndron përjetë, e ka gatitur fronin për gjykim.
9Botën do ta gjykojë me drejtësi e popujt me paanësi.
10Zoti është strehë për të shtypurit, strehë në kohë të vështira.
11Ata që e njohin emrin tënd kanë besim te ti, se ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.
12Këndojini Zotit që banon në Sion, shpalluni popujve veprat e tij.
13Se ai që ndëshkon gjakatarët u kujtua dhe klithmën e skamnorëve nuk e harroi.
14Mëshiromë, o Zot, që prej portave të vdekjes më shpëton. Shiko si më poshtëruan ata që më urrejnë,
15që tërë lavditë e tua të shpall dhe te portat e Sionit të ngazëllej për shpëtimin tënd.
16Kombet ranë në gropën që hapën vetë, laku që vetë e vunë ua zuri këmbën.
17Zoti e dëfteu veten dhe bëri drejtësi, e zuri të paudhin në grackën që vetë kishte ngritur.
18Në skëterrë rënçin të paudhët, mbarë ato kombe që harrojnë Perëndinë.
19Se nevojtari nuk do të harrohet kurrë, dhe shpresa e fatkeqëve nuk do të humbë asnjëherë.
20Ngrihu, o Zot, që të mos dalë më i fortë njeriu, që kombet të gjykohen prej teje.
21Tmerroji, o Zot! Kombet ta dinë mirë se janë vetëm njerëz.