Psalms 78AL1

1Himn i Asafit. Vër re, o populli im, ligjin tim, mba vesh fjalët e gojës sime.

2Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra, do të tregoj të fshehta nga e shkuara.

3I kemi dëgjuar e i kemi ditur, etërit tanë na i kanë treguar.

4Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre, brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë, veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit, mrekullitë që ai bëri.

5Ai vendosi një dëshmi për Jakobin, caktoi një ligj në Izrael. Etërve tanë u urdhëroi, që bijve të tyre t'ua shpallin,

6që t'i njohë edhe breznia e ardhshme, bashkë me fëmijët që do të lindin. E kur të rriten edhe ata, bijve të vet do t'ua tregojnë,

7që shpresën ta vënë te Perëndia, që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë e urdhërimet e tij t'i mbajnë,

8që të mos bëhen si etërit e tyre, një brez kokëfortë e kryengritës, një brez me zemër të luhatur e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.

9Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë, ditën e betejës shpinën kthyen.

10Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë, nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij.

11I harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte dëftyer.

12Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit.

13E ndau detin e i kaloi përmes, ujërat i ndali e i bëri pirg.

14Ditën u printe me një re, gjithë natën me dritë flakëruese.

15Në shkretëtirë çau shkëmbinj, u dha të pinë si nga burimet e thella.

16Përrenj nxori prej shkëmbit, ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj.

17Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij, në vend të shkretë ngritën krye kundër të Tejlartit.

18Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë, kërkuan ushqim siç ua kishte ënda.

19Kundër Perëndisë folën e thanë: «A mundet Perëndia të shtrojë tryezë në mes të shkretëtirës?

20Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan dhe si përrenj vërshuan. Por, a mundet t'i japë edhe bukë e mish t'i gatitë popullit të vet?».

21I dëgjoi Zoti e fort u zemërua, zjarri u ndez kundër Jakobit, zemërimi vloi kundër Izraelit,

22se nuk besuan në Perëndinë e as shpresuan në shpëtimin e tij.

23Por ai urdhëroi retë prej së larti, dyert e qiellit i hapi.

24Si shi ua dërgoi manën për ushqim e grurë prej qiellit u dha.

25Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh, u dha ushqim sa u ngopën.

26Në qiell ngriti erën e lindjes, me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku.

27Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri, shpendët fluturues si rëra e detit.

28I bëri të bien mes fushimit të tyre, rreth e rrotull tendave të tyre.

29Hëngrën e mirë u ngopën, çka donin ua dha.

30Ende nuk ishin ngopur mirë e ushqimin e kishin në gojë,

31kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre. Më të fortët prej tyre i vrau, të rinjtë e Izraelit i plandosi.

32E megjithatë mëkatuan sërish dhe në mrekullitë e tij nuk besuan.

33Ditët e tyre u përfunduan në kotësi, vitet e tyre patën fund të tmerrshëm.

34Kur i vriste, atëherë e kërkonin, ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin.

35Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre, Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre.

36Por, me gojë e mashtronin, me gjuhën e tyre i thoshin rrena.

37Zemra e tyre nuk ishte përherë me të, besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë.

38Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte. Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte.

39Kujtohej se ishin prej mishi, si era që shkon e më nuk kthehet.

40Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë! Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!

41Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë, e trishtonin të shenjtin e Izraelit.

42Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme, dita kur i çliroi prej armikut:

43shenjat, që kishte bërë në Egjipt, veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.

44Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak, edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.

45U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin, bretkosa, që t'i shkatërronin.

46Të korrat e tyre ua dha krimbave, karkalecave mundin e tyre.

47Vreshtat ua rrënoi me breshër, pemët e fikut me brymë.

48Me breshër ua goditi edhe bagëtinë, me rrufe, gjënë e gjallë.

49Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij, furinë, mërinë e fatkeqësinë; u dërgoi engjëj të këqij.

50I hapi udhë zemërimit të tij, jetën prej vdekjes nuk ua kurseu, por i la në dorë të murtajës.

51Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt, frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.

52Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij, u priu në shkretëtirë porsi grigjës.

53I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën, armiqtë e tyre i mbuloi deti.

54I çoi në vendin e tij të shenjtë, në malin, që kishte fituar e djathta e tij.

55Dëboi kombe para tyre e tokën ua ndau me short për trashëgim. Fiset e Izraelit i vuri të banojnë nëpër tendat e tyre.

56Por ata e tunduan përsëri, ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit, e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.

57U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan, si harku i shtrembër, ata dredhuan.

58Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet, me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.

59E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez, rëndë e përçmoi Izraelin.

60E braktisi tendën e Shilohut, banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.

61Forcën e tij e la të bjerë në robëri, lavdinë e tij në duart e armikut.

62Popullin e tij ia dorëzoi shpatës, kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.

63Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, vashave nuk u kënduan.

64Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës, vejushat nuk i vajtuan.

65E u ngrit Zoti, si prej gjumit, si luftëtari trim, kur e kap vera.

66Pas shpine u ra armiqve, me turp të përjetshëm i mbuloi.

67Poshtë e hodhi tendën e Jozefit, fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.

68Zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që fort e deshi.

69Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren, ashtu si tokën, e themeloi në amshim.

70E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, prej tufave të dhenve e mori.

71E mori prej deleve që mëndnin, për të kullotur Jakobin, popullin e tij, dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

72Me zemër të pastër i udhëhoqi, me duar të afta u priu.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Psalms 78.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.