1Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Asafit. Këngë.
2I njohur është Perëndia në Judë, i madh është emri i tij në Izrael.
3Në Salem është vendi i tij, në Sion banesa e tij.
4Atje harqet flakëruese ai theu, shqytin, shpatën e betejën.
5Tërë shkëlqim ti je, më madhështor se malet e gjahut!
6Trimat e paepur u plaçkitën, gjumi i thellë i kishte kapur! Askush prej burrave trima nuk ngrinte dot as dorën.
7Prej qortimit tënd, o Perëndi i Jakobit, të shtangur mbetën qerre e kuaj.
8Ti je vërtet i tmerrshëm! Kush të bën dot ballë, kur të ndizet zemërimi?
9Prej qiellit e shpalle gjykimin, toka u drodh nga frika dhe heshti,
10kur u ngrit Perëndia për të bërë gjyq, për të shpëtuar gjithë skamnorët e tokës.
11Se ty edhe zemërimi i njerëzve të jep lavdi e ç'të ketë mbetur ti e ngjesh ijëve.
12Bëjini premtime Zotit, Perëndisë suaj, e përmbushini ato. Të gjithë ju që e rrethoni sillini dhurata të Tmerrshmit.
13Ai i lë pa frymë prijësit, atë e druajnë të gjithë mbretërit e tokës.