1Ankimi që Davidi i këndoi Zotit për fjalët e Kushit nga fisi i Benjaminit.
2O Zot, Perëndia im, te ti kërkoj strehë, shpëtomë e çliromë prej të gjithë përndjekësve të mi.
3Në mos, si luani do të ma shqyejnë shpirtin e do të më copëtojnë pa më ardhur kush në ndihmë.
4O Zot, Perëndia im, po të kem bërë gjë e po të kem bërë padrejtësi me duart e mia,
5nëse ia kam kthyer me të keqe dashamirësit tim apo e kam plaçkitur armikun pa shkak,
6më ndjektë armiku e më kaptë, jetën time e nëpërkëmbtë e nderin pluhur ma bëftë.
7Çohu, o Zot, me zemërim, ngrihu mbi tërbimin e armiqve të mi, qëndro krah meje, ti që ke vendosur drejtësi.
8Le të të rrethojnë kombet, por ti sundoji nga vendi yt i lartë.
9O Zot që gjykon popujt, gjykomë ti, o Zot, se jam i drejtë e pa faj.
10Ligësia e të paudhëve marrtë fund, por të drejtin forcoje, o Perëndi i drejtë, ti që shqyrton mendjet e zemrat.
11Mburoja ime është Perëndia, ai i shpëton zemërdrejtët.
12Perëndia është gjykatës i drejtë, Perëndia është përherë i rreptë.
13Nëse dikush nuk pendohet, Perëndia e mpreh shpatën, e nden harkun dhe e mban gati.
14I ka bërë gati armët e vdekjes dhe i ka ndezur shigjetat.
15Ja, i ligu ngjiz paudhësi, mbart ligësi e pjell mashtrim.
16Hapi një gropë, gërmoi thellë, por në gropën që bëri ra brenda vetë.
17Ligësia që bëri do t'i kthehet kokës e dhuna e vet do t'i bjerë ballit.
18Unë do të falënderoj Zotin për drejtësinë e tij e do t'i këndoj himne emrit të Zotit, të Tejlartit.