1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit, kur mori arratinë prej Saulit e u fsheh në shpellë.
2Mëshiromë, o Perëndi, mëshiromë, se te ti gjen strehë shpirti im, nën hijen e krahëve të tu gjej strehë, derisa të kalojë kërcënimi.
3Do t'i thërras Perëndisë, të Tejlartit, Perëndisë, që bën mirësi për mua.
4Prej qiellit do ta dërgojë ndihmën e do të më shpëtojë, atë që më përndjek do ta turpërojë. Perëndia do të dërgojë mirësinë dhe besnikërinë e tij.
5Shpirti im banon mes luanësh, gati të përpijnë bijtë e njeriut. Dhëmbët e tyre janë si heshta e shigjeta, gjuha e tyre si shpata e mprehtë.
6Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi, le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!
7U vunë lakun këmbëve të mia e shpirti m'u drobit, hapën një gropë para meje, por ranë vetë brenda.
8Zemra ime është e fortë, o Perëndi, e fortë është zemra ime. Do të këndoj e himne do të thur.
9Zgjohu, o lavdia ime! Zgjohu ti, o harpë dhe lirë, se dua të zgjoj agimin.
10Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot, do të këndoj për ty mes kombeve.
11Se mirësia jote lartohet deri në qiell, besnikëria jote deri ndër re.
12Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi, lavdia jote mbuloftë tokën mbarë!