1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit.
2A flisni vërtet me drejtësi, o të fuqishëm? A i gjykoni drejt bijtë e njerëzve?
3Ja, në zemër ju bluani padrejtësi, duart tuaja gatisin dhunë mbi tokë.
4Të paudhët dalin nga udha që në ngjizje, gënjeshtarët mashtrojnë që në bark të nënës.
5Helmi i tyre është si helmi i gjarprit, janë si nepërka e shurdhët, që mbyll veshët,
6për të mos e dëgjuar zërin e shortarit, të atij që magjeps me mjeshtëri.
7O Perëndi, thyejua dhëmballët në gojë, o Zot, copëtojua dhëmbët luanëve!
8U derdhshin si ujërat që rrjedhin! Kur të marrin shenjë, shigjetat e tyre u dërrmofshin.
9U bëfshin si kërmilli që tretet e shkon, si i dështuari prej gruas, diellin mos e pafshin.
10Para se enët tuaja të ndiejnë flakën e ferrishtave, i përpiftë vorbulla, të njoma e të thata.
11Do të gëzojë i drejti, kur të shohë hakmarrjen, këmbët do t'i lajë në gjakun e të paudhëve.
12E njerëzia do të thonë: «Paska vërtet shpërblim për të drejtin! Paska Perëndi, që gjykon mbi tokë».