1Brohoritni, o besnikë, në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi.
2Kremtojeni Zotin me qeste, këndojini me harpën me dhjetë tela.
3Këndojini atij një këngë të re, bjeruni bukur veglave muzikore e brohoritni!
4E drejtë është fjala e Zotit, të gjitha veprat e tij plot besnikëri.
5Ai e do drejtësinë dhe gjykimin e drejtë, plot është toka me mirësinë e Zotit.
6Me fjalën e Zotit u krijuan qiejt, me frymën e gojës së tij mbarë ushtria qiellore.
7Ujërat e deteve i mblodhi si në një pirg, thellësitë i mbylli nëpër drithnikë.
8Le ta ketë frikë Zotin mbarë toka, le të dridhen para tij gjithë banorët e botës.
9Se ai foli e gjithçka u bë, ai urdhëroi e u përftua.
10Zoti i zhbën shestimet e kombeve, mendimet e popujve ai i prish.
11Por shestimi i Zotit mbetet përjetë, mendimet e zemrës së tij brez pas brezi.
12Lum ai komb që ka për Perëndi Zotin, ai popull që e zgjodhi si trashëgiminë e vet.
13Zoti vështron prej qiellit, mbarë bijtë e njerëzve i shikon.
14Prej vendbanimit të tij ai shqyrton gjithë banorët e tokës.
15Ai i dha trajtë zemrës së çdo njeriu, i kupton mbarë veprat e njerëzve.
16Nuk shpëton mbreti falë ushtrisë së madhe e as luftëtari trim falë fuqisë së tij të madhe.
17Më kot e pret shpëtimin prej kalit, forca e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
18Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19që t'ua çlirojë shpirtin nga vdekja, që t'i mbajë gjallë në kohë urie.
20Shpirti ynë pret Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21Në të gëzon zemra jonë, në emrin e tij të shenjtë kemi besim.
22Qoftë mbi ne, o Zot, mirësia jote, sikurse kemi shpresuar në ty.