1Himn i Davidit. Lum kujt iu fal faji, që mëkati iu mbulua.
2Lum njeriu, që Zoti nuk e gjykon fajtor, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
3Unë heshtja e kockat po më treteshin, rënkoja gjithë ditën.
4Dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë, fuqia po më mpakej si në zhegun e verës.
5Atëherë të dëfteva mëkatin tim e fajin tim nuk ta fsheha. Thashë: «Do t'ia rrëfej paudhësitë Zotit »; ti e fale fajin e mëkatin tim.
6Le të të lutet për këtë çdo besnik në kohë mundimesh të mëdha dhe vërshimi i ujërave përmbytës nuk ka për ta zënë.
7Ti je vendstrehimi im, ti më ruan prej fatkeqësisë e me brohori shpëtimi më rrethon.
8«Do të të jap mençuri e udhën, ku duhet të ecësh, do të ta mësoj, do të të jap këshilla e sytë mbi ty do t'i mbaj».
9Mos u bëni si kali a si mushka, që s'kanë mend, kapistër e fre lypset për t'i mbajtur, që mos të të afrohen.
10Të shumta janë mundimet e të paudhit, por kush beson në Zotin rrethohet me mirësi.
11Gëzohuni në Zotin e ngazëlleni, o të drejtë! Brohoritni të gjithë ju, o zemërdrejtë!