Psalms 139
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. O Zot, ti më ke shqyrtuar e më njeh.
2 Ti e di kur ulem e kur ngrihem, mendimet nga larg m'i kupton.
3 Më vëzhgon kur eci e kur pushoj, gjithë udhët e mia mirë i njeh.
4 Pa folur goja ime, ti, o Zot, di çdo gjë.
5 Para meje e mbrapa meje je ti, dora jote qëndron mbi mua.
6 Mahnitëse është dija jote për mua, tepër e lartë e unë s'e arrij.
7 Ku të shkoj larg shpirtit tënd? Ku të iki larg pranisë tënde?
8 Po të ngjitem në qiell, atje je ti, po të dergjem në skëterrë, ti je aty.
9 Po të merrja krahët e mëngjesit e përtej detit të shkoja,
10 edhe atje do të më udhëhiqte dora jote, do të më mbante e djathta jote.
11 Edhe po të thosha: «Më mbuloftë errësira e drita përreth meje u errësoftë»,
12 errësira për ty nuk është errësirë e nata ndriçon si dita; për ty errësira dhe drita janë njëlloj.
13 Ti e krijove brendinë time, më ende që në bark të nënës.
14 Të lavdëroj se mrekullisht më krijove, të mahnitshme janë veprat e tua, mirë e di shpirti im.
15 Kockat e mia nuk ishin të fshehta për ty, kur krijohesha në fshehtësi, kur merrja trajtë në thellësitë e tokës.
16 Kur isha pa trajtë, më panë sytë e tu. Të gjitha ditët që caktove, në librin tënd ishin shkruar, pa u krijuar asnjë prej tyre.
17 Sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është numri i tyre!
18 Po t'i numëroj, janë më shumë se rëra. Zgjohem e jam ende me ty.
19 Sikur t'i zhbije të paudhët, o Perëndi! Shporruni prej meje, o njerëz gjakatarë.
20 Ata flasin kundër teje me dredhi, më kot ngrihen armiqtë e tu.
21 Si të mos i urrej ata që të urrejnë, o Zot, si të mos i përbuz kundërshtarët e tu?
22 Ndiej vetëm urrejtje për ta, i kam bërë armiq.
23 Shqyrtomë, o Perëndi, dhe njihe zemrën time, vëmë në provë dhe njihi brengat e mia.
24 Shiko në shkoj udhës së ligë dhe në udhën e përjetësisë më pri.