1Fjalët e Lamuelit, mbretit të Masës, që ia mësoi e ëma.
2Si vallë, biri im, si vallë, biri i barkut tim? Si vallë, biri i betimeve të mia?
3Mos ua jep grave fuqinë tënde e jetën tënde atyre që shfarosin mbretërit.
4Nuk u shkon mbretërve, o Lamuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë, as prijësve të dëshirojnë pije të forta,
5se, po të pinë, harrojnë rregullat e shtrembërojnë çështjen e tërë të mjeruarve.
6Jepini pije të fortë tatëpjetësit e verë zemërplasurve.
7Të pinë e të harrojnë varfërinë e vet, të mos e kujtojnë më brengën e vet.
8Fol për memecin, mbroje çështjen e tërë të mbaruarve.
9Hape gojën për të gjykuar drejt e mbro të varfrin e nevojtarin.
10A ka kush e gjen një grua të zonjën? Më e çmuar se margaritarët vlera e saj.
11Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj e nuk do t'i mungojë fitimi.
12Gëzim i jep ajo e jo hidhërim, në të gjitha ditët e jetës së saj.
13Del e gjen li e lesh, duart i vë në punë me zell.
14Hiqet porsi anije tregtare që sjell ushqim së largu.
15Vetë zgjohet që me natë, për t'i dhënë ushqim shtëpisë e detyrat shërbëtoreve.
16Zë e mendon për një arë dhe e blen, me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin.
17Hedh brezin ijëve tërë fuqi, fort u jep krahëve.
18Të mbarën e punës së vet shikon e natën llamba e saj nuk shuhet.
19Ja, shtrin dorën e merr furkën, boshtin në pëllëmbë e mban.
20Kundrejt skamnorit hap krahët, kundrejt nevojtarit shtrin dorën.
21Le të mos trembet nga dëbora, se e gjithë familja ka nga dy petka.
22Mbulojë thur për vete, vishet me li e mëndafsh.
23Njeri i njohur është i shoqi në qytet, kur rri me krerët e vendit.
24Sajon petka liri për të shitur, u jep tregtarëve breza.
25Ajo është veshur me forcë e nder, e pret të ardhmen buzagaz.
26Përherë gojën me urti e hap e gjuha e saj është mësim mirësie.
27Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon e nuk ha bukën e përtacisë.
28Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë, i shoqi e përlëvdon kështu:
29«Rangë kanë bërë shumë gra, por të gjithave ua ke kaluar!».
30Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria, por gruaja që druan Zotin do të lavdërohet.
31Thurin lavde veprat e saj për të në qytet. Jepini asaj nga frytet e duarve të veta.