1«Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia,
2duke i vënë vesh urtisë e duke e prirë zemrën drejt mençurisë,
3nëse do t'i thërrasësh mendjes e do t'i bësh zë mençurisë,
4nëse e kërkon atë si argjendin dhe e gjurmon si thesarin,
5atëherë do të kuptosh drojën e Zotit e do të gjesh dijen e Perëndisë,
6se Zoti dhuron urtinë e prej gojës së tij del dija e mençuria.
7Ai i jep mbrothësi të drejtit, është mburojë për të ndershmin,
8mbron shtigjet e drejtësisë e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet.
9Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin, çiltërsinë e çdo udhë të mbarë.
10Do të të hyjë në zemër dija e njohja do të ta kënaqë shpirtin.
11Përsiatja do të të ruajë e mençuria do të të mbrojë,
12për të të shpëtuar nga udha e keqe, nga njerëzit që flasin prapësi,
13nga ata që lënë shtigjet e drejta për të ecur udhëve të errëta,
14që kënaqen me të keqen e ngazëllehen me prapësi të liga.
15Shtigjet e tyre janë të shtrembra, udhët e tyre me dredha.
16Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj, nga e panjohura që të flet ëmbël,
17që braktis të dashurin e rinisë dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj.
18Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes e udhët e saj drejt hijeve.
19Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më, as nuk gjejnë më shtegun e jetës.
20Prandaj, ti ec udhës së mbarë e mbaj shtigjet e të drejtëve,
21se të drejtët do ta banojnë tokën e të përsosurit do të mbeten në të.
22Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut e të pabesët do të çrrënjosen».