1Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:
2për të njohur urtinë e rregullin, për të nxënë fjalët e mençura,
3për të pranuar qortimet e mprehta, drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë,
4për t'u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë, të rinjve njohjen e shestimin.
5Le të dëgjojë i urti e t'i shtohet dija, ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime,
6për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat, thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre.
7Droja e Zotit është fillimi i njohjes, por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin.
8Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate,
9se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë e porsi varëse rreth qafës tënde.
10Biri im, nëse mëkatarët të ngucin, mos u vër vesh.
11Po të thonë: «Eja me ne! Të zëmë pritë për gjak, t'i ngremë kurth të pafajshmit, më kot;
12t'i përpijmë të gjallë, si skëterra, njëcopësh, si ata që zbresin në varr,
13të përlajmë çdo gjë të çmueshme e t'i mbushim shtëpitë me plaçkë;
14hidh short me ne e do të mbajmë një qese për ne të gjithë»,
15ti, biri im, mos shko udhës së tyre, të mos shkelë këmba jote në atë shteg,
16se këmbët e tyre turren drejt së keqes e nxitojnë për të derdhur gjak.
17Para syve të shpendëve më kot hidhet rrjeta,
18por këta zënë pritë kundër gjakut të vet, ngrenë kurth kundër vetes.
19I tillë është fati i zhvatësit: i merr jetën të zotit të vet.
20Urtia thërret udhëve, ngre zërin shesheve,
21njofton në krye të rrugëve të zhurmshme e në dyert e qyteteve jep kumte:
22«Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë? Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri e të marrët do të urrejnë njohjen?
23Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia! Ja, po hap zemrën para jush e po ju bëj të ditura fjalët e mia:
24ju thirra e ju më përzutë, ju shtriva dorën e askush s'më vuri re.
25I shpërfillët tërë këshillat e mia e nuk i deshët qortimet e mia.
26Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja, do të tallem kur t'ju zërë frika,
27kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi e kobi si thëllim, kur të jeni në ngushticë e në ankth.
28Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem, do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë.
29Ngaqë ata e urryen njohjen e nuk zgjodhën drojën e Zotit,
30nuk ndoqën as këshillën time dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia,
31ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre e do të ngopen me këshillat e veta.
32Bjerrja e thjeshtakëve do t'i rrënojë e mendjelehtësia e të marrëve do t'i shkatërrojë,
33por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë e do të prehet pa frikë nga e keqja».