1Biri im, mos i harro udhëzimet e mia e mbaj në zemër urdhërimet e mia,
2se ditë të shumta, vite jete e paqe do të të japin.
3Mos të lëntë mirësia, as besnikëria, ndaj vari rreth qafës e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,
4se do të gjesh përkrahje e pëlqim para Perëndisë e para njerëzve.
5Beso në Zotin me gjithë zemër e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.
6Mendo për të në të gjitha udhët e tua e ai do të t'i drejtojë shtigjet.
7Mos të të duket vetja i urtë, por druaj Zotin e largohu nga e keqja.
8Kjo do të jetë shërim për trupin tënd e freskim për eshtrat e tua.
9Ndero Zotin me tërë begatinë tënde, me frytet e para të çdo të vjele,
10se drithnikët e tu do të mbushen plot e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.
11Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit e mos u bezdis nga qortimi i tij,
12se Zoti e ndreq atë që e do, porsi një atë birin e dashur.
13Lum njeriu që e ka gjetur urtinë, lum ai që ka kapur arsyen,
14është më e vlefshme se argjendi, më e dobishme se ari,
15më e çmueshme se margaritarët, e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
16Në të djathtë mban jetëgjatësinë, në të majtë pasurinë e nderin.
17Udhët e saj janë të këndshme, tërë shtigjet e saj të paqme.
18Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës; lum ai që kapet pas saj.
19Zoti e themeloi tokën me urti e me mençuri i nguliti qiejt.
20Me dijen e tij shpërthyen humnerat e retë pikuan vesën.
21Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra, ruaj mençurinë e maturinë,
22se do të jenë jetë për ty, stoli rreth qafës sate.
23Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate e këmba jote nuk do të pengohet.
24Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh, do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.
25Mos ki frikë nga tmerri i beftë a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,
26se Zotin pranë do ta kesh e do të ta ruajë këmbën nga leqet.
27Po të jetë në dorën tënde, mos ia moho të mirën atij që i takon.
28Po të kesh, mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t'jap».
29Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd që me ty banon i qetë.
30Mos u grind kot me asnjeri nëse nuk të ka bërë keq.
31Mos e lakmo njeriun e dhunshëm e mos ndiq udhët e tij,
32se Zoti ka neveri për dinakun, por me të drejtin është i dashur.
33Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit, por ai bekon banesën e të drejtit.
34Me tallësit ai tallet, por të përulurit i përkrah.
35Të urtët do të trashëgojnë nderin, kurse të marrët turpin.