1Shestimet e zemrës i takojnë njeriut, por përgjigjja vjen nga Zoti.
2Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta, por është Zoti ai që peshon shpirtrat.
3Paraqitja Zotit veprat e tua dhe shestimet e tua do të zënë vend.
4Zoti e ka bërë gjithçka me një qëllim, deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë.
5Zotit i neveritet mendjemadhi, vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.
6Me mirësi e besnikëri shlyhet faji e me drojën e Zotit shmanget e keqja.
7Kur Zotit i pëlqen sjellja e një njeriu, pajton me të edhe armiqtë e tij.
8Më mirë pak e me të drejtë, sesa shumë e pa të drejtë.
9Njeriu e sheston udhën e vet, por hapat ia drejton Zoti.
10Kumti hyjnor është në buzët e mbretit, goja e tij nuk do të gabojë në gjykim.
11Masa dhe peshoret e drejta i përkasin Zotit, të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij.
12Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve, se froni i ka themelet në drejtësi.
13Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin, ai e do kë flet me drejtësi.
14Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes, kush e zbut, është njeri i urtë.
15Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë, përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror.
16Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin, se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit.
17Udha e të drejtëve shmang të keqen, kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet.
18Krenaria i prin rrënimit dhe shpirti i sertë sjell rënien.
19Më mirë të përulesh me të përulurit, se të ndash prenë me krenarët.
20Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën, kush beson në Zotin, është i lum.
21Njeriu i urtë do të quhet i mençur, të folurit ëmbël e shton mësimin.
22Kush ka urti, ka burimin e jetës, ndëshkimi i të marrëve është marrëzia.
23Mendja e të urtit e mençuron gojën, ua shton mësimin buzëve të tij.
24Thëniet e këndshme janë hoje mjalti, ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat.
25Ka udhë që duket e drejtë, por në fund shpie në vdekje.
26Punëtorin e bën uria të punojë, e nxit goja e vet.
27Njeriu i pavlerë gatit ligësi, në buzët e tij një zjarr përvëlues.
28Njeriu mashtrues mbjell grindje, kush shpif përçan miqtë.
29Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin e udha ku e shpie nuk është e mirë.
30Kush shkel syrin, synon mashtrimin, kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë.
31Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme, ajo gjendet në udhën e drejtësisë.
32Më mirë i durueshëm, se i fortë, më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet.
33Shorti hidhet në prehër, por vendimi vjen prej Zotit.