1Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit, por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin.
2Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë, por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë.
3Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet, kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi.
4Përtaci dëshiron, por gjë s'fiton, ndërsa zelltarëve u rritet jeta.
5I drejti e urren fjalën e rreme, i paudhi përlyen e turpëron.
6Drejtësia ruan sjelljen e përkryer, të paudhin e rrënon mëkati.
7Dikush shtiret i pasur e s'ka asgjë, dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri.
8Pasuria është shpagim për jetën e njeriut, por i varfri as që dëgjon kërcënim.
9Drita e të drejtëve sjell gëzim, por të paudhëve u shteron llamba.
10Mendjemadhësia sjell vetëm grindje, por me ata që këshillohen është urtia.
11Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket, por kush mbledh ngadalë, e shumon.
12Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën, por një dëshirë e përmbushur është pemë jete.
13Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten, kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet.
14Mësimi i të urtit është burim jete për të shmangur leqet e vdekjes.
15Mirëkuptimi merr përkrahje; mashtruesit janë të paepur.
16Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi, por i pamendi rrezaton marrëzi.
17Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja, por lajmësi besnik sjell shërim.
18Skamje e turp për kë shpërfill rregullin, por kush e zbaton qortimin, do të nderohet.
19Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun, por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja.
20Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë, por kush rri me të marrët do ta pësojë.
21Mëkatarët i përndjek e keqja, ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira.
22Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve, por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin.
23Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve, por ja që përlahet me padrejtësi.
24Kush e kursen shkopin, e urren të birin, por kush e do atë, nxiton ta qortojë.
25I drejti ha derisa ngihet, por të paudhëve s'u mbushet barku.