Proverbs 12
1 Kush do rregullin, do dijen, por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.
2 Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit, ndërsa njeriun dinak e dënon.
3 Askush nuk zë rrënjë me prapësi, por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.
4 Një grua zonjë është kurorë për të shoqin, por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.
5 Të drejtët mendojnë drejtësinë, të paudhët këshillojnë mashtrimin.
6 Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare, por të drejtët do t'i çlirojë goja e vet.
7 Të paudhët bien e s'janë më, por shtëpia e të drejtëve qëndron.
8 Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij, por mendjeçarturit do të përbuzen.
9 Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor, sesa i mburrur, por i pangrënë.
10 I drejti kujdeset për bagëtitë e veta, por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.
11 Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë, kush rend pas kotësive është i pamend.
12 Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish, rrënja e të drejtëve lulëzon.
13 Buzët e përdala janë kurthi i të ligut, por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.
14 Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja, secili shpërblehet sipas veprave që bën.
15 I marri kujton se sillet drejt, por kush dëgjon këshillën është i urtë.
16 I marri e tregon qartë zemërimin e vet, ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.
17 Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë, por dëshmitari i rremë, mashtrimin.
18 Kush flet pa menduar është si shpatë therëse, por gjuha e të urtëve është shërim.
19 Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë, por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.
20 Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim, këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.
21 Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim, ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.
22 Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit, por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.
23 Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen, kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.
24 Dora e punëtorit do të mbizotërojë e dora e përtacit do të nënshtrohet.
25 Ankthi i zemrës e thyen burrin, ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.
26 I drejti e drejton të afërtin e vet, por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.
27 Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur, por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.
28 Në udhën e drejtësisë është jeta, nuk ka vdekje në shtigjet e saj.