1Peshorja e rreme i neveritet Zotit, por peshimi i saktë i pëlqen.
2Me mendjemadhësinë vjen edhe çnderimi, urtia është me të përulurit.
3Të drejtët i udhëheq përsosja e tyre, mashtruesit i rrënon dredhia e vet.
4Në ditën e zemërimit s'duhet gjë pasuria, por drejtësia, ajo çliron nga vdekja.
5Të përsosurve ua drejton udhën drejtësia e tyre, por i paudhi bie në paudhësinë e vet.
6Të drejtët i çliron drejtësia e tyre, por mashtruesit bien pre e dëshirimit të vet.
7Kur vdes njeriu i paudhë, i shuhet edhe shpresa, edhe pritja për t'u kamur.
8I drejti çlirohet nga angështia e i paudhi bie në gjendjen e tij.
9Me gojën e vet i pafeu e rrënon të afërtin, por të drejtët çlirohen falë dijes.
10Qyteti gëzohet kur të drejtët begatohen dhe brohoret kur marrin fund të paudhët.
11Me bekimin e të drejtëve lartohet qyteti, por nga goja e të paudhëve rrënohet.
12Përçmimi i të afërtit është punë të marrësh, njeriu i arsyeshëm mban gojën.
13Shpifësi endet duke treguar të fshehtat, por një shpirt i besueshëm e mbulon lajmin.
14Një popull pa udhëheqje rrëzohet, fitorja arrihet falë këshilltarëve të shumtë.
15Kush hyn dorëzanë për një të huaj do ta pësojë, por kush e urren dorëzaninë është i sigurt.
16Gruaja e hijshme ngjall nderim. Të dhunshmit përlajnë pasuri.
17Kush është i njerëzishëm, i bën mirë vetes, kush është mizor, edhe trupin e vet e sfilit.
18Kush bën të keqen, merr një pagë të rreme, por, kush mbjell drejtësinë, me të vërtetë shpërblehet.
19Drejtësia e vërtetë është jetë, por, kush ndjek të keqen, gjen vdekjen.
20Kush është zemërkeq, i neveritet Zotit, por ai kënaqet me kë sillet drejt.
21I ligu vërtet nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të jetojnë.
22Si unaza e artë në hundën e një derri, ashtu është bukuria në gruan e pamend.
23Të drejtët dëshirojnë vetëm mirësinë, të paudhët zemërimin.
24Dikush jep e pasurohet. Një tjetër mban gjënë e huaj, por varfërohet.
25Shpirti bujar do të begatohet, kush i jep ujë dikujt, edhe atij do t'i jepet.
26Populli mallkon kë mban për vete grurin, por bekuar ai që e shet.
27Kush dëshiron të mirën, gjen përkrahje, kush gjurmon të keqen, e keqja do ta gjejë.
28Kush mbështetet në kamjen e vet, do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.
29Kush trazon shtëpinë e vet, trashëgon erë. I marri do t'i shërbejë të urtit.
30Fryti i të drejtit është pemë jete, i urti i bën për vete njerëzit.
31Ja, i drejti shpërblehet mbi dhe, aq më tepër i paudhi e mëkatari.