Lamentations 3AL1

1Njeriu që e pa mjerimin, jam unë, nën shkopin e zemërimit të tij.

2Ai më shtyu e më endi në errësirën pa dritë.

3Ai e ktheu dorën e tij gjithmonë veç kundër meje.

4Blojë m'i bëri eshtrat, më shkretoi mish e lëkurë.

5Bëri ledhe kundër meje, helm e stërmundim.

6Brenda errësirës më vendosi, si të vdekurit e kahershëm.

7Gardh ngriti rreth meje e dot nuk dal, më hodhi vargonj të rëndë.

8Gërthas e kërkoj ndihmë, por prapë ma hedh poshtë lutjen.

9Gurë të latuar vuri për të m'i mbyllur rrugët, shtigjet m'i dredhoi.

10Doli kundër meje si ariu në pritë, si luan i fshehur.

11Drejtimin ma humbi, më shqeu e më shkretoi.

12Drejtoi harkun e vet e më bëri shënjestër për shigjetë.

13Hodhi kundër veshkave të mia shigjetat e kukurës së vet.

14Habia e popullit tim u bëra, këngë qesëndie për ta tërë kohën.

15Hidhërime më dha sa u ngiva, më dehu me pelin.

16Varrë m'i bëri dhëmbët me gurë, me shtiu në hi.

17Vërtiti larg paqen nga shpirti im, e kam harruar mirësinë.

18«Venitet pritshmëria ime», thashë, «Ardhmëria që do të vinte prej Zotit ».

19Zë e kujtoj pikëllimin dhe endjen time, si të ishin pelin e helm.

20Zaliset shpirti im, kur kujton e kujton.

21Ziejnë në zemrën time këto gjëra, prandaj kam shpresë:

22«Hiri i mirësisë së Zotit nuk shterohet, s'ka fund mëshira e tij.

23Herët në mëngjes përtërihen, e madhe është besnikëria e tij.

24“Hisja ime është Zoti ”, thotë shpirti im, “Prandaj edhe shpresoj në të”».

25Tregohet i mirë Zoti për ata që shpresojnë në të, për ata që e kërkojnë me shpirt.

26Të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit është gjë e mirë.

27Të mbartë zgjedhën që në rini është gjë e mirë për një burrë.

28Jetën ta kalojë i vetmuar e i heshtur ai që Zoti e ka rënduar.

29Ja, ta ulë fytyrën gjer në pluhur, se mbase ka shpresë.

30Ja, t'ia kthejë faqen ndëshkuesit, të dendet me poshtërime.

31Kurrë Zoti nuk përjashton përgjithmonë.

32Ka mëshirë sipas mirësisë së tij të madhe edhe nëse ndëshkon.

33Kurrë nuk e çon pikëllimin me gjithë zemër, as i poshtëron njerëzit.

34Le të shtypen me këmbë të gjithë të burgosurit e tokës,

35le t'i shtrembërohet e drejta njeriut para të Tejlartit,

36le t'i përmbyset çështja njeriut, a nuk shikon Zoti?

37Mos dikush flet e ajo gjë bëhet pa e urdhëruar Zoti?

38Mirësitë e ligësitë a nuk dalin prej gojës së të Tejlartit?

39Mos të ankohet asnjë njeri i gjallë pse i ndëshkohen mëkatet.

40Ne duhet t'i shqyrtojmë sjelljet tona, t'i peshojmë e të kthehemi te Zoti.

41Kah Perëndia në qiell t'i ngremë zemrat e duart.

42Ne bëmë shkelje e kryeneçësi, ti nuk e dhe faljen.

43S'na përdëlleve, por na vrave, na përndoqe i mbështjellë me zemërim.

44Sajove një re rreth teje që nuk e shpon as lutja.

45Stërvinë e mbeturinë na bëre në mes të popujve.

46Fshajnë me gojë kundër nesh të gjithë armiqtë tanë.

47Frika e gropa na zunë, rrënimi e dërrmimi.

48Furi lotësh më rrjedhin nga sytë për thyerjen e bijës së popullit tim.

49Ajohen sytë e mi pa ndalur, se nuk ka pushim,

50aq kohë sa Zoti të mos këqyrë e të shikojë nga qielli.

51Angështohet shpirti im kur shoh me sy bijat e qytetit tim.

52Cytësit e mi pa shkak më gjuajnë siç gjuhet shpendi.

53Copë ma bënë jetën, më mbytën në pus, më gjuajtën me gurë.

54Currila uji më vërshuan mbi kokë e thashë: «Mbarova!».

55Kërkova emrin tënd, o Zot, nga thellësitë e honit.

56Klithmën time e dëgjove: «Mos i mbyll veshët ndaj psherëtimës e britmës sime».

57Kur të thirra, ti u afrove e the: «Mos ki frikë!».

58Rastin tim, o Zot, ti e mbrojte, ma shpagove jetën.

59Rrengun që më bënë e pe, o Zot: gjykoje çështjen time!

60Ra në sytë e tu tërë hakmarrja e tyre, tërë shestimet e tyre kundër meje.

61Sharjen e tyre e dëgjove, o Zot, dhe tërë shestimet e tyre kundër meje.

62Shfrejnë kundër meje gjithë ditën buzët e kundërshtarëve të mi.

63Shikoi kur ulen e kur ngrihen, unë jam shpotia e tyre.

64Ti jepua shpërblimin, o Zot, sipas veprave të duarve të tyre.

65Topitua zemrën, lëshoju mallkimin.

66Tërë zemërim përndiqi e rrënoji nën qiellin e Zotit.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Lamentations 3.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.