1Ah, Zoti e nxiu bijën e Sionit me zemërimin e vet. E plandosi nga qielli në tokë bukurinë e Izraelit. Nuk iu kujtua shtroja e këmbëve në ditën e zemërimit të vet.
2Banishtat e Jakobit i përpiu Zoti, të tëra pa mëshirë. I shkatërroi me zemërim fortesat e bijës së Judës, shembi përtokë e fëlliqi mbretërinë e krerët e saj.
3Goditi me furinë e zemërimit të vet fuqinë e Izraelit. E rrudhi të djathtën e vet përballë armikut, ndezi te Jakobi diçka si zjarr flakërues, që përpin rreth e rrotull.
4Dora e djathtë e tij porsi ngucësi, si armiku e ndehu harkun. Ata që na i kënaqnin sytë, i vrau në tendën e bijës së Sionit. E zbrazi tërbimin porsi zjarr.
5Hasëm u duk se u bë Zoti, e përpiu Izraelin, ia përpiu të gjitha ndërtesat, ia rrënoi fortesat, shtoi vajtimin e ankimin te bija e Judës.
6Vathën ia dhunoi, sikurse kopshtin, ia rrënoi vendtakimin. Zoti e fshiu në Sion festën e të shtunën, poshtëroi mbretin e priftin me zemërim të furishëm.
7Zoti e braktisi altarin e vet, hoqi dorë nga shenjtërorja e vet, i la në dorë të armiqve muret e godinave së saj. Në tempullin e Zotit dhanë kushtrimin si në ditën e festës.
8Hollësisht e mendoi Zoti rrënimin e mureve të bijës së Sionit: e mati me pe e s'hoqi dorë nga rrënimi. Bëri të vajtueshëm ledhin e murin, njëherësh ata u shembën.
9Toka i përpiu dyert e saj, shulat ia shkatërroi e ia copëtoi. Mbreti i saj dhe princat mbetën ndër kombe, nuk kanë më udhëzime, deri edhe profetët s'kanë ku të gjejnë asnjë vegim prej Zotit.
10Janë ulur përtokë të heshtur pleqtë e bijës së Sionit. Kanë mbuluar kokën me pluhur e janë veshur me grathore. Kanë ulur kryet përtokë vashat e Jerusalemit.
11Kroi i lotëve m'i shteroi sytë, m'u pështjelluan zorrët, mëlçia m'u zbraz përtokë prej thyerjes së bijës së popullit tim, se u mekën foshnja e ferishtja në sheshin e qytetit.
12Nënave të veta u thoshin: «Ku është drithi? Po vera?», tek flashkeshin si të lënduar nëpër sheshet e qytetit e jepnin shpirt në prehrin e nënave.
13Me çfarë të të krahasoj? Me çfarë përngjan, o bijë e Jerusalemit? Me çfarë të të përafroj për të të ngushëlluar, o vashë, bijë e Sionit? Se i madh sa deti është rrënimi yt, prandaj kush mund të të shërojë?
14Ngatërrueshëm e mashtrueshëm veguan për ty profetët e tu. Nuk e zbuluan fajësinë tënde, që të ta kthenin begatinë, por panë për ty kumte të rreme e mashtruese.
15Sëra e kalimtarëve përplas duart për ty, fërshëllejnë e tundin kokën për bijën e Jerusalemit: pse, ky është qyteti për të cilin thoshin: «Bukuria e përsosur, ngazëllimi i mbarë dheut!»?
16Fërshëllejnë e kërcëllijnë dhëmbët, hapin gojën kundër teje armiqtë e tu e thonë: «E përlamë! Këtë ditë prisnim, ia arritëm dhe e pamë!».
17Atë që e kishte vendosur, e bëri Zoti, e mbajti fjalën e vet që e kishte dhënë si urdhër kaherë. Rrënoi pa mëshirë, e gëzoi armikun, ngasësit i dha fuqi.
18Curril le të derdhen lotët ditë e natë, le ta thërrasë Zotin zemra jote, o muri i bijës së Sionit. Mos pusho e të mos prehet bebja e syrit tënd.
19Këndellu, klith natën, natën kur fillon ndërresa, zbraze zemrën si ujë para fytyrës së Zotit. Ngriji duart drejt tij që të marrin frymë fëmijët e tu, ata që i mundon uria në krye të çdo rruge.
20Ruajna, o Zot, e shiko! Me kë u solle kështu? A duhet të përpijnë gratë pjellën e vet, fëmijët plot shëndet? A duhet të vriten në shenjtëroren e Zotit priftërinjtë e profetët?
21Shtrihen përtokë rrugëve të rinj e pleq, vashat e djelmoshat i këputi shpata. Vrave ditën e zemërimit tënd, there pa mëshirë.
22Ti i mblodhe tmerruesit e mi përreth si për festë. Në ditën e zemërimit të Zotit askush nuk mbeti gjallë. Ata që kisha lindur e mëkuar armiku i shfarosi.