Lamentations 1AL1

1Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza dikur shumë e populluar! Mbeti e ve madhështorja ndër kombe, princesha e krahinave u nënshtrua.

2Bërtet e qan gjatë natës me lot për faqe, nuk gjendet asnjë ngushëllues ndër të gjithë dashnorët e saj. E tradhtuan të gjithë miqtë e iu bënë armiq.

3U shpërngul Juda me pikëllim e skllavërim të rëndë. Zuri vend ndër kombe, por nuk gjen prehje. Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer nëpër ngushtica.

4Duke vajtuar janë udhët e Sionit, se nuk ka kush vjen për festa. Të gjitha portat i janë rrënuar, priftërinjtë i rënkojnë, vashat janë në zi, se i ra fat i hidhur.

5Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës, armiqtë e saj janë të sigurt, se Zoti e pikëlloi prej shkeljeve të shumta, fëmijët iu bënë robër para armikut.

6Vezullimi iku i tëri prej bijës së Sionit. Prijësit i janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë. Ikin pa fuqi prej përndjekësve.

7Zë e kujton Jerusalemi, në ditët e pikëllimit e të përendjes, të gjitha begatitë e qëmoçme. Kur popullsia i ra në dorë armikut, pa i dalë zot askush, gërgasësit e panë e u zgërdhinë me shuarjen e tij.

8Hidhur mëkatoi Jerusalemi, prandaj u bë ndyrësirë. E përçmojnë ata që e nderonin, se ia panë lakuriqësinë. Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet.

9Tërë papastërti e bëri tunikën pa u kujtuar për të ardhmen. U plandos me tmerr pa asnjë ngushëllim. «Shikoje, o Zot, pikëllimin tim, se armiku im u madhërua».

10Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën mbi të gjitha begatitë e tij. Pa kombet tek hynin në shenjtërore, ata që pate urdhëruar të mos hynin në bashkësinë tënde.

11Krejt popullsia e tij rënkon duke lypur bukë. Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim, që t'u kthehet fryma. Shiko, o Zot, e vërej sa jam poshtëruar.

12Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi Zoti, kur u ndez zemërimi i tij.

13Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë.

14Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë.

15Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës.

16Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu.

17Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. Zoti dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre.

18Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është Zoti. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri.

19Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën.

20Rënkimin tim shikoje, o Zot! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja.

21Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë.

22Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Lamentations 1.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.