1«Ja, ti shpreson e zhgënjehesh, e shikon dhe rrëzohesh.
2Nuk ka trim që ta ngacmojë e kush mund t'i bëjë ballë?
3Kush e sulmoi dhe shpëtoi? Kush vallë nën qiellin mbarë?
4Nuk do ta mbuloj me heshtje forcën e ijëve të tija, as hijeshinë e shtatit të tij.
5Kush vallë ia zhveshi petkun? Kush hyri vallë ndër nofullat e tij?
6Kush mund t'ia hapë kanatet e gojës, se me tmerr i ka të rrethuar dhëmbët.
7E mbulojnë radhët madhështore të shqytit, e kyçin fort si me vulë.
8Aq puthiten me njëra-tjetrën, sa përmes tyre as era s'kalon.
9Kapen fort me njëra-tjetrën, ngjiten e më nuk shqiten.
10Teshtima e tij shpërthen si dritë e si qepallat e agimit i ka sytë.
11Nga goja i dalin flakërima, shkëndija zjarri i vërshojnë.
12Nga hundët tymi i del, si prej kazanit mbi zjarrin që i fryhet.
13Fryma e tij i përndez thëngjijtë e flaka prej gojës i del.
14Në qafë e ka forcën e përballë tij dridhet tmerri.
15Të ngjeshura i ka palët e mishit që është i ngurtë e nuk lëviz.
16Zemrën e ka të ngurtë si gurin, të ngurtë si gurin e poshtëm të mullirit.
17Kur ai ngrihet, të fortët frikësohen, kur ai përplaset, ata trullosen.
18Nëse e godet shpata, nuk i ngulet, as heshta, as shigjeta, as shtiza.
19Si kashtë është hekuri për të e bronzi si dru i kalbur.
20Nuk ikën fare as nga shigjeta e gurët e hobes i duken si byk.
21Si byk i duket edhe shkopi e qeshet me vringëllimën e shtizës.
22Nën bark ka tjegulla majëmprehta e në deltinë lesën e shtrin.
23E flluskos detin si kazan, si enë vajrash e bën.
24Nga pas lë një shteg vezullues e humnera duket thinjoshe.
25Nuk ka mbi tokë si ai, krijuar për të mos u trembur.
26Vrojton nga lart gjithçka, është mbret mbi tërë bishat krenare».