1Zoti i foli sërish Jobit e tha:
2«A ka qortues që ndeshet me të gjithëpushtetshmin? Le të përgjigjet ai që do të ndreqë Perëndinë!».
3Jobi iu përgjigj Zotit e tha:
4«Ja, kurrgjë s'jam! Si të të përgjigjem? Gojën me dorë do ta mbyll.
5Një herë fola e më nuk përgjigjem. Madje dy herë, por nuk do të vijoj».
6Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:
7«Ngjishi ijët si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më përgjigjesh.
8A do ta mohosh edhe drejtësinë time? A do të më fajësosh mua për të shfajësuar veten?
9Mos e ke krahun si Perëndia? A është si zëri i tij gjëmimi yt?
10Mbështillu, pra, me madhështi e krenari, me lavdi e nder vishu!
11Zbraze gufimin e zemërimit tënd, shikoji krenarët e poshtëroi,
12shikoji krenarët e përuli, shkeli të paudhët kudo të gjenden.
13Fshihi njëherësh në pluhur e në fshehtësi mbyllua fytyrën.
14Atëherë edhe unë do të dëshmoj se e djathta jote të shpëton.
15Shiko Behemotin, që e bëra si ti, ai ha bar si kau.
16Shiko sa të fuqishme i ka ijët e sa të forta muskujt e barkut.
17E ngre bishtin si cedër e kofshët i ka të endura me deje.
18Eshtrat e tij si gypa bronzi, brinjët e tij si shufra hekuri.
19Ai është vepra e parë e Perëndisë e vetëm krijuesi i tij mund t'i qaset me shpatë.
20Malet ia japin ushqimin e tërë egërsirat që në to lodrojnë.
21Nën lotus shtrihet në kallamishten e dendur e në moçal.
22Lotuset me hije e mbulojnë e shelgjet bri vaut e rrethojnë.
23Nuk trembet as kur lumi fryhet, është i sigurt edhe po t'i mbërrijë Jordani gjer në gojë.
24A e verbon dhe e kap dot? A ia zë njeri turinjtë në kurth?
25A mund ta zësh Leviatanin me grep e t'ia mbash gjuhën me tërkuzë?
26A mund t'ia lidhësh hundën me xunkth e t'ia shposh nofullën me kanxhë?
27Mos vallë do të të përgjërohet shumë e do të të flasë ëmbël?
28A do të lidhë besën me ty e ti do ta marrësh përgjithmonë si shërbëtor?
29A do të luash me të si me një zog, apo do ta lidhësh për vajzat e tua?
30A do ta nxjerrin në shitje ortakët e tregtarët do ta ndajnë mes tyre?
31A do t'ia mbushësh lëkurën me fuzhnja e kokën me grepa peshku?
32Vër dorë në të e mbaje mend luftimin, e më nuk do ta përsëritësh».