1«A e di ti kur pjellin dhitë e malit? A i ke vrojtuar drenushat kur lindin?
2Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve? Ua di vallë kohën e pjelljes,
3kur shtrihen e lindin të vegjlit dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes?
4Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta, ikin e më tek ato nuk kthehen.
5Kush e lëshoi në liri gomarin e egër? Kush ia zgjidhi litarin mushkës,
6të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën e si vendbanim dheun kripor?
7Ai e përqesh rrëmujën e qytetit e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve.
8Endet kullotave të veta malore e kërkon çdo bimë të blertë.
9A pranon bizoni të të shërbejë? A e kalon natën në stallën tënde?
10A e vë dot në brazdë për laku? A do të vijë pas teje duke pluguar?
11A do t'i zësh besë atij, se është shumë i fortë, e do t'ia ngarkosh atij punën tënde?
12A beson se ai do të kthehet e do ta sjellë farën në lëmë?
13Gëzueshëm i rreh krahët struci, por zogjtë i bën pa pendë e pupla,
14vezët përtokë i vë e në pluhur i ngroh,
15ndonëse këmba mund t'i shkelë e bisha mund t'i shtypë.
16Ashpër sillet me zogjtë, a thua se s'janë të vetët e s'ka frikë se punon kot.
17Se ia hoqi Perëndia urtinë e s'ia dha zgjuarsinë.
18Kur ngrihet e flatron, kalë e kalorës përqesh.
19A ia jep ti kalit fuqinë? Krifën në qafë, vallë, ti ia vure?
20A e bën ti të kërcejë si karkalec? Hingëllima e tij madhështore tmerron.
21Hareshëm thundron me forcë në luginë, armëve përballë u del.
22E përbuz frikën e nuk tutet, nuk zbythet para shpatës.
23Nga pas i tringëllon kukura, heshta përshkënditëse e shtiza.
24Me tërbim e furi dheun ha e as zëri i borisë nuk e ndal.
25Kur bie boria, thotë: “Hihi!”. Nga larg nuhat luftën, britmën e prijësve e gjëmën e betejës.
26Mos flatron skifteri falë dijes sate e krahët drejt jugut i hap?
27Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja e në lartësi folenë vë?
28Mbi shkëmb ajo ngul e mbi prita kreshtash shkëmbore bun.
29Prej andej e vrojton prenë, prej larg sytë e saj e shohin.
30Zogjtë e saj pinë gjak e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».