Job 38
1 Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:
2 «Kush është ky që e zymton këshillën me fjalë pa kuptim?
3 Ngjishe brezin si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më mësosh.
4 Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës? Fol, nëse e njihke kuptimin!
5 Kush ia caktoi përmasat, po e dite? Kush e mati me litar?
6 Mbi çfarë u hodhën themelet e saj ose kush ia vuri gurin e këndit,
7 kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin?
8 Kush ia mbylli dyert detit, kur shpërtheu e nga barku doli,
9 kur retë ia bëra si petka e sterrën si shpërgënj?
10 Unë ia caktova caqet e dyerve ua vura shulin,
11 pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej! Këtu do të të thyhen dallgët krenare”.
12 Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin? Po agut, a ia tregove vendin,
13 që tokën për cepash ta kapte e t'i shkundte prej saj të paudhët?
14 Ajo shndërrohet si deltina nën vulë e ngjyhet si petku.
15 Mëkatarëve u përvidhet drita e u copëtohet krahu i ngritur.
16 A mbërrite dot te burimet e detit? A shëtite vallë në fund të humnerës?
17 A t'u shfaqën ty dyert e vdekjes? Po dyert e terratisjes i ke parë vallë?
18 A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut? Trego, në i di tërë këto!
19 Nga bie rruga për ku banon drita? Po errësira, ku e ka vendin,
20 që ta mbash brenda cakut të saj e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh?
21 Patjetër ti e di, sepse kishe lindur e i madh është numri i ditëve të tua.
22 A ke hyrë në hangarët e borës? Po drithnikët e breshrit, i ke parë?
23 Unë i ruaj për kohë ngushtice, për ditë beteje e luftimi.
24 Për cilën udhë shpërndahet drita e përhapet juga mbi dhe?
25 Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës e shtegun vetëtimës gjëmuese,
26 për të sjellë shi në tokën pa njeri, mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia,
27 për të ngopur thatinën e shkretinë, që djerrina bar të qesë?
28 A ka shiu atë? Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi?
29 Prej barkut të kujt u lind akulli? Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë?
30 Si gur ngurtësohet uji e ngrin faqja e honit.
31 A mund t'i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave, apo Orionit t'ia zgjidhësh vargoin?
32 A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit dhe a e drejton dot Arushën me zogj?
33 Ai i njeh vallë ligjet e qiellit? A i vendos dot në tokë rregullat e tij?
34 A mund t'i urdhërosh retë që të të mbulojë uji përmbytës?
35 A mund t'i lëshosh vetëtimat e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”?
36 Kush ia caktoi brendisë urtinë e kush ia dha mendjes kuptimin?
37 Kush mund t'i numërojë retë me urti e kush i zbraz kacekët e qiellit
38 kur pluhuri ngjishet tok e plisat ngurtësohen?
39 A e gjuan dot prenë e luanit? Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë,
40 kur mblidhen kruspull në strofull apo kur presin në shkurrnajë?
41 Kush ia gatit korbit ushqimin, kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin e përenden pa ushqim?».