1Elihui foli sërish e tha:
2«A të duket i drejtë mendimi yt, ty që thua: “Kam të drejtë më shumë se Perëndia”?
3dhe thua: “Çfarë të duhet ty? Po unë, çfarë fitoj prej mëkatit tim?”.
4Unë do të të përgjigjem ty e miqve të tu me ty.
5Vështroje qiellin e shikoi retë që janë më lart se ty.
6Nëse mëkaton, çfarë i bën vallë atij? Nëse janë shumë fajet e tua, atij çfarë i bën?
7Po të jesh i drejtë, çfarë i jep atij? Çfarë mund të marrë ai prej dorës sate?
8Njerëzit si ti i prek paudhësia jote, të gjithë njerëzit i prek drejtësia jote.
9Kur pesha e shtypjes rëndon, njerëzit bërtasin, ndihmë kërkojnë kundër dorës së pushtetarit.
10Por askush nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im, që e mbush natën me këngë,
11që na bën më të ditur se shtazët e tokës e më të zgjuar se zogjtë e qiellit?”.
12Atëherë klithën, por ai s'iu përgjigj, për shkak të krenarisë së të ligjve.
13Perëndia nuk e dëgjon britmën e kotë, nuk i vë vesh i gjithëpushtetshmi,
14e aq më pak ty që thua se nuk e sheh. Prit se çështja jote gjendet para tij.
15E tani që zemërimi i tij nuk ndëshkon e ai nuk e vëren marrëzinë e tepruar,
16më kot e hap gojën Jobi e pa dijeni flet fjalë të shumta».