Job 34AL1

1Elihui foli sërish e tha:

2«Dëgjojini, o të urtë, fjalët e mia, edhe ju, o të ditur, mbamëni vesh,

3pasi veshi fjalët i dallon e qiellza gjellën e shijon.

4Le ta zgjedhim vetë çfarë është e drejtë, vetë le ta pranojmë çfarë është e mirë,

5se Jobi tha: “I drejtë unë jam, por të drejtën ma mori Perëndia.

6I drejtë jam e më bëjnë gënjeshtar, më shigjetojnë për vdekje e faj nuk kam”.

7Cili njeri është porsi Jobi, që talljen gjerb si ujin,

8që bredh me punëkeqët e me rrengshorët shëtit,

9pasi tha me vete: “S'ka dobi njeriu Perëndinë të kërkojë!”.

10Prandaj, o zemërmirë, dëgjomëni mua: larg Perëndisë paudhësia, larg të gjithëpushtetshmit padrejtësia!

11Ai e shpërblen njeriun për çka bën, e si të sillet njeriu ashtu edhe e gjen.

12Vërtet Perëndia nuk bën ligësi, të drejtën i gjithëpushtetshmi s'e shtrembëron.

13Kush e caktoi të sundojë tokën e kush e përftoi tërë gjithësinë?

14Po të merrej me veten e vet dhe shpirtin e frymën për vete ta mbante,

15njëherësh do të shuhej çdo qenie e gjallë e njerëzia në pluhur do të kthehej.

16Nëse ke mend, dëgjoje këtë gjë, vëri vesh tingëllimës së fjalëve të mia.

17A mund të sundojë kush e urren drejtësinë? E ti do të dënosh të drejtin e fuqishëm,

18atë që mbretit: “Krahëthatë!”, i thotë e fisnikëve: “Të paudhë!”,

19që princave anën nuk ua mban e të pasurin s'e vë para të varfrit, sepse të gjithë dora e tij i bëri.

20Në mes të natës papritur vdesin, dridhen popujt e kalojnë, pa vënë dorë njeri rrëzohen trimat.

21Ai sytë tek udhët e njerëzve i mban e i sheh të gjithë hapat e tyre.

22Nuk ka terr as terrinë ku të fshihen punëligjtë.

23Kohën askujt s'ia ka caktuar para Perëndisë në gjyq të dalë.

24I këput të pushtetshmit pa i hetuar e në vendin e tyre të tjerë vendos.

25Meqë i njeh veprat e tyre, për një natë i përmbys e i shtyp.

26Si keqbërës i shuplak, në një vend ku të gjithë i shohin,

27se prej tij u larguan e i shpërfillën tërë udhët e tij.

28Tek ai mbërriti klithma e skamnorëve, klithmën e të pikëlluarve e dëgjoi.

29Kur ai hesht, kush e dënon? Nëse fsheh fytyrën, kush vallë e sheh? Por mbi kombe e mbi njerëz njëherësh sundon,

30që njeriu i pafe të mos mbretërojë e as ata që popullit kurth i ngrenë.

31A i thotë kush Perëndisë: “Pësova e nuk do të mëkatoj.

32Çfarë nuk shoh vetë, ti ma mëso, në kam bërë keq, më s'do ta bëj”?

33A duhet të të shpërblejë siç mendon ti? Ti që e shpërfille, vendos pra, e thuaj çfarë di.

34Njerëzit me mend do të më thonë, bashkë me njeriun e urtë që më dëgjon:

35“Jobi nuk flet si i ditur, nuk janë të mençura fjalët e tij”.

36Le të sprovohet Jobi deri në fund, se si keqbërës përgjigjet.

37Mëkatit i shton kryeneçësinë e mes nesh mbjell dyshim, se flet gjithnjë e më shumë kundër Perëndisë».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Job 34.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.