Job 28AL1

1«Po, argjendit i gjenden xehja, edhe arit shkritorja.

2Hekuri prej dheut nxirret e bakri prej gurit del.

3Njeriu e ndal errësirën e në çdo skaj rrëmon gurin e territ e të pisës.

4Hapin hurdha larg vendbanimit, ku nuk shkel këmba e udhëtarit e, larg njerëzisë, pezull lëkunden.

5Toka prej nga del buka përposh vlon si zjarr.

6Te gurët e saj gjendet safiri dhe ari te pluhuri i saj.

7Atë shteg s'e njeh as shpendi grabitqar, nuk e pikas as syri i skifterit,

8nuk e rreh as egërsira krenare, nuk e përshkon dot as luani.

9Njeriu ngre dorë kundër granitit, i përmbys malet që në rrënjë.

10Nëpër shkëmbinj tunele hap e sytë e tij shquajnë çdo gjë të çmueshme.

11Burimet e lumenjve bën zap e gjërat e fshehura në dritë i nxjerr.

12Po urtia, prej nga mund të nxirret? Ku është vallë vendi i mençurisë?

13Njerëzit asaj vlerën nuk ia njohin e nuk gjendet në dheun e të gjallëve.

14Humnera thotë: “Nuk është tek unë”. E deti thotë: “Nuk është në mua”.

15Nuk shkëmbehet dot me ar të kulluar, nuk peshon argjendi sa çmimi i saj.

16Nuk blihet me ar Ofiri, me oniks apo me zafir të çmuar.

17Nuk krahasohet me ar, as me qelq e nuk shkëmbehet me enë ari të kulluar.

18As të mos përmenden koralet e kristalet, se më shumë se perlat vlen urtia.

19Nuk matet me të topazi i Kushit e nuk paguhet, jo, me ar të kulluar.

20Po urtia, prej nga mund të vijë? Ku është, vallë, vendi i mençurisë?

21U përvodh nga sytë e tërë të gjallëve, edhe nga zogjtë e qiellit është fshehur.

22Humnera e vdekja thonë: “Kemi dëgjuar të flitet për të”.

23Por, Perëndia e njeh udhën e saj, ai e di ku ndodhet ajo.

24Ai e sheh tokën skaj më skaj dhe gjithçka nën qiell shikon.

25Kur i dha erës peshën, kur ujërat mati e peshoi,

26kur shiut rregullin i caktoi e shtegun vetëtimës gjëmuese,

27atëherë e pa dhe e kumtoi, e caktoi dhe e shqyrtoi

28e i tha njerëzimit: “Ja, droja e Zotit, ajo është urtia. Shmangu nga e keqja e kjo është mençuria”».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Job 28.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.