Job 27
1 Jobi mori sërish fjalën e tha:
2 «Pasha Perëndinë që ma hoqi të drejtën, pasha të gjithëpushtetshmin që ma helmoi shpirtin,
3 sa të kem frymë në mua e shpirt Perëndie në flegrat e mia,
4 buzët e mia ligësira nuk do të thonë e prej gjuhës sime nuk do të dalë mashtrim.
5 Larg qoftë t'ju jap të drejtë, e pa dhënë shpirt unë, vetes nuk ia mohoj drejtësinë.
6 Fort e mbaj drejtësinë time e nuk e lëshoj, s'më qorton zemra për asnjë nga ditët e mia.
7 I rëntë armikut tim fati i të paudhit, fati i keqbërësit kundërshtarit tim.
8 Çfarë shprese ka i pafeu kur këputet, kur Perëndia jetën ia merr?
9 A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur ai të ketë rënë ngushtë?
10 A do të kënaqet me të gjithëpushtetshmin? Do ta thërrasë Perëndinë kurdoherë?
11 Unë do t'ju mësoj si sillet Perëndia, nuk do t'jua fsheh ç'mendon i gjithëpushtetshmi.
12 Ja, të gjithë ju vetë e shihni e pse me kotësira kot po merreni?
13 Këtë fat merr njeriu i mbrapshtë nga Perëndia, këtë trashëgim mujshari nga i gjithëpushtetshmi:
14 në pastë shumë bij, mbi ta rëndon shpata e pinjojtë e tij me bukë nuk do të ngopen.
15 Të mbijetuarit do t'ia groposë murtaja, e të vejat nuk do t'i vajtojnë.
16 Nëse si dheun do ta mbledhë argjendin e si baltën petkat t'i gatitë,
17 t'i gatitë, por do t'i veshë i drejti e argjendin i pafajshmi do ta ndajë.
18 Të brishtë si merimanga e ndërtoi shtëpinë, si streha që ndërton rojtari.
19 Shtrihet i kamur, por më kot, hap sytë e s'gjen asgjë.
20 E zë tmerri, porsi uji vërshues, natën vorbulla e përpin.
21 E merr era e lindjes dhe merr fund, e shkul nga vendi i vet.
22 E vërvit pa mëshirë e ai nga dora përpiqet t'i ikë.
23 Duartrokasin kundër tij e nga vendi i tyre kundër tij fërshëllejnë».