Job 21AL1

1Jobi u përgjigj e tha:

2«Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia e ky do të jetë ngushëllim për mua.

3Duromëni e unë do të flas dhe, si të kem folur, përqeshmëni.

4Vallë kundër një njeriu po ankohem? Pse të mos e humb duresën?

5Kthehuni kah unë e shtanguni, Mbajeni gojën me dorë.

6Tronditem kur kujtohem e mishi më rrëqethet.

7Pse vallë rrojnë të paudhët, madje moshohen e forcohen më shumë?

8Bijtë pranë tyre zënë vend me pinjojtë e tyre para syve.

9Të qeta i kanë shtëpitë e s'tremben, nuk i godet shkopi i Perëndisë.

10Mëzati i tyre ndërzen e s'i del huq, lopa e tyre nuk e dështon viçin.

11Djemtë e tyre porsi grigja dalin e valle fëmijët e tyre hedhin.

12I bien dajres e lirës, me tinguj fyelli ata kënaqen.

13I ngrysin ditët në begati e të qetë zbresin në skëterrë.

14Perëndisë i kanë thënë: “Larg nesh! S'duam t'i njohim udhët e tua.

15Çfarë është i gjithëpushtetshmi, që t'i shërbejmë? E çfarë fitojmë, po t'i përgjërohemi?”.

16Ata e kanë vetë në dorë begatinë, por, larg meje këshilli i të paudhëve!

17Sa herë u shuhet kandili të paudhëve? Sa herë i zë zezona? Sa herë Perëndia i brengos i zemëruar?

18Mos janë si kashta që e merr era apo si byku që e përlan furtuna?

19Thuhet se Perëndia e ruan ndëshkimin për bijtë e të ligut. Le t'i ndëshkojë, pra, ata, që të marrin vesh!

20Me sytë e vet ta shohin rrënimin e zemërimin e të gjithëpushtetshmit të pinë.

21Për kë lënë pas nuk mërziten, kur muajt e jetës krejt t'u kenë mbaruar.

22A i mësohet dija Perëndisë, atij që gjykon ata që janë lart?

23Dikush vdes në begati, fare i qetë e fare i kënaqur,

24me ijët plot qumësht e me palcën njomur.

25Dikush vdes me shpirt të hidhëruar, të mirën kurrë pa e shijuar.

26Në pluhur njësoj prehen e krimbat i mbulojnë.

27Ah, sa mirë i njoh mendimet tuaja, shestimet tuaja, për të më mujshuar.

28Se më thoni: “Ku është shtëpia e fisnikut? Ku është tenda e banimit të të paudhëve?”.

29Pse nuk pyetët udhës kalimtarët e nuk pranoni provat e tyre,

30se në ditën e mynxyrës shpëton i paudhi, në ditën e furisë ai e gjen rrugëdaljen.

31Kush i qorton ndër sy për sjelljen e tyre e kush ua kthen për çfarë kanë bërë?

32Pasi ta kenë çuar në varrezë të ligun, mbi varrin e tij do të vënë rojë

33e lehtë plisat e dheut mbi të do të prehen. Pas tij do të shkojë gjithë njerëzia, e panumërt do të ecë para tij.

34Si doni të më ngushëlloni me kotësira? Përgjigjet tuaja janë veç dredhi?».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Job 21.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.