1Cofar Namatiti u përgjigj e tha:
2«Tani mendja më thotë të të përgjigjem, për shkak të ngacmimit që është në mua.
3Dëgjova një ligjërim që më fyen e përgjigjen ma jep fryma e mençurisë.
4A nuk e di se, ngaherë, qëkurse njeriu u vendos mbi dhe,
5të paudhët galdojnë për pak kohë e të pafetë gëzojnë veç një grimë?
6Edhe po të arrijë gjer në qiell madhështia e tij, e koka e tij të prekë retë,
7do të bjerë përgjithmonë, si jashtëqitja e vet e ata që e patën parë do të thonë: “Ku iku?”.
8Si ëndrra do të davaritet e nuk do të gjendet, do të zhduket si vegimi i natës.
9Syri që e pa një herë, më nuk do ta shikojë e nuk do ta shohë as vendi i vet.
10Skamnorët do t'i përkrahin bijtë e tij, me duart e veta do ta kthejnë pasurinë.
11Eshtrat e tij dikur në lule të rinisë, bashkë me të në pluhur do të prehen.
12Nëse i duket e ëmbël në gojë ligësia dhe e mban fshehur nën gjuhë,
13e ruan, por nuk e gëlltit, e mban brenda në gojë,
14në bark do t'i prishet ushqimi e në zorrë helm nepërke do t'i bëhet.
15Pasurinë që gëlltiti do ta vjellë, Perëndia nga barku do t'ia nxjerrë.
16Helmin e gjarprit do të thithë e gjuha e nepërkës do ta vrasë.
17Nuk do të shohë më tek rrjedh lumi, përroi me mjaltë e me gjalpë.
18Do ta kthejë çfarë fitoi e nuk do ta hajë, nuk do t'i gëzojë fitimet e tregtisë,
19se i shtypi e i shpërfilli skamnorët, pushtoi shtëpitë që s'kishte ndërtuar,
20se barku i tij kurrë nuk u ngop e nga babëzia asgjë nuk i shpëtoi.
21Asgjë nuk i shpëtoi grykësisë së tij, prandaj nuk do të zgjasë mirëqenia e tij.
22Në kulmin e begatisë do ta gjejë mjerimi, shuplaka e çdo lloj kobi do ta godasë.
23Kur të jetë duke mbushur barkun, Perëndia do ta godasë me zjarrin e zemërimit, do t'ia lëshojë prushin si shi.
24Do t'i shpëtojë ushtës së hekurt, por do ta shporojë harku i bronztë.
25Do ta shkulë prej shpinës, por mëlçinë rrufeja do t'ia godasë e tmerri do ta pushtojë.
26Terri i thellë i rri në pritë, flaka që askush s'e ndezi do ta djegë e do të shkretojë ç'ka i mbeti në tendë.
27Qiejt do ta zbulojnë ligësinë e tij e toka kundër tij do të ngrihet.
28Të mirat e shtëpisë së tij do të firojnë, në ditën e zemërimit të tij do të zhduken.
29Këtë fat i caktoi Perëndia njeriut të paudhë, këtë trashëgimi i caktoi Perëndia».