Job 17
1 «Po më zihet fryma, po më shuhen ditët e varri po më pret.
2 A nuk më rrethojnë shpotitësit? Sytë m'i kanë zënë trazuesit.
3 Bëhu, pra, dorëzanë për mua! Kush tjetër do të ma japë dorën?
4 Meqë ua more mendjen, nuk do t'i lësh të ngadhënjejnë.
5 Kush kallëzon miqtë dhe ndan bukën me miqtë u zë sytë fëmijëve.
6 Ai më bëri përrallë para njerëzve e për t'u pështyrë në fytyrë jam bërë.
7 Sytë më janë errur nga dhimbja e gjymtyrët m'u bënë të gjitha si hije.
8 Të drejtët çuditen për këtë e i pafajshmi zemërohet kundër të pafeut.
9 Por i drejti qëndron në udhën e tij e kush ka duar të pastra bëhet më i fortë.
10 Ejani prapë ju të gjithë e nuk do të gjej ndër ju asnjë të urtë.
11 Kaluan ditët e mia, u zvordhën shestimet e mia, ëndjet e zemrës sime.
12 Ata e bëjnë natën ditë e thonë se errësira i afrohet dritës.
13 S'kam tjetër shpresë, veç të banoj në skëterrë, në errësirë ta vë shtrojën time.
14 Varrit i thashë: “Im atë je ti” e krimbave: “Ju jeni nëna e motrat e mia”.
15 Ku është, pra, shpresa ime? Kush mund ta shohë shpresën time?
16 A do të zbresë me mua në skëterrë e bashkë në pluhur do të zhytemi?».