1Jobi u përgjigj e tha:
2«Vërtet ju jeni njerëzia e me ju do të vdesë urtia,
3por edhe unë kam mend si ju e nuk jam më pak se ju. Kush nuk i ditka këto gjëra?
4U bëra shpotia e shokëve të mi, unë që i thërras Perëndisë të më përgjigjet. Shpoti jam unë, i drejti e i përkryeri.
5“Përçmim për të pafatin!”, mendon kush është mirë “shtymën këmbëzvarrit!”.
6Banesat e rrënimtarëve janë të qeta, është i sigurt kush cyt Perëndinë, kush e ka Perëndinë në dorë.
7Pyeti kafshët e ato të mësojnë, edhe zogjtë e qiellit e ata të tregojnë.
8Ose ankoju tokës e ajo të mëson, edhe peshqve të detit e ata të rrëfejnë.
9Kush nga gjithë këta s'e di se i bëri dora e Zotit?
10Se ai ka në dorë frymën e çdo gjallese dhe shpirtin e çdo njeriu prej mishi.
11A nuk i dallon veshi fjalët, siç shijon qiellza gjellën?
12A s'është urtia me pleqtë e dija me jetëgjatët?
13Me Perëndinë është urtia e fuqia, atij i takon këshilla e mençuria.
14Ja, ai shemb e askush nuk ndërton dot, ndryn në burg e askush nuk mund të hapë.
15Ja, ai e ndal ujin e thahen të gjitha, e lë të vërshojë e toka rroposet.
16Me të është forca e mençuria, ai ka në dorë të mashtruarin e mashtruesin.
17Zbathur i nis këshilltarët e tallet me gjykatësit.
18Ua zgjesh brezin mbretërve e ijët ua lidh me lak.
19I nis priftërinjtë zbathur e i përmbys sunduesit.
20Ua heq fjalën gojëtarëve dhe pleqve u heq gjykimin.
21Zbraz përçmim mbi prijësit, ua liron rripin të fortëve.
22Shpërfaq thellësitë e errësirës e nxjerr në dritë terrinën.
23Kombet i madhëron e i asgjëson, i shpërndan kombet e u prin.
24Ua merr mendtë prijësve të dheut, i end në shkretëtirën pa udhë.
25Kuturisen në terr pa dritë dhe sillen si të dehur».