Job 13
1 «Ja, gjithçka pa syri im veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.
2 Çfarë dini ju e di edhe unë e nuk jam më pak se ju.
3 Por unë dua të flas me të gjithëpushtetshmin, me Perëndinë ma ka ënda të rragatem.
4 Sa për ju, ju e shihni mashtrimin, mjekë të padobishëm jeni të gjithë.
5 Kush do t'ju bëjë të heshtni? Do të ishte urti për ju.
6 Dëgjojeni, pra, arsyetimin tim, vërejeni vetëmbrojtjen e buzëve të mia.
7 A do të flisnit rrejshëm për Perëndinë e do të mashtronit për të?
8 A doni t'i mbani anë Perëndisë e të arsyetoni për të?
9 Vallë, do të dilni mirë nëse ju shqyrton? Apo do ta mashtroni, siç mashtrohet njeriu?
10 Ashpër do t'ju qortojë nëse tinëz mbani anë.
11 A nuk do t'ju tmerrojë madhështia e tij? S'do të bjerë mbi ju tmerri i tij?
12 Hi e pluhur janë thëniet tuaja të urta, mburojë balte mburojat tuaja.
13 Heshtni, që të flas vetë, e le të më ndodhë ç'të dojë.
14 Pse të ha veten me dhëmbë e të vë dorë në jetën time?
15 Ja, ai do të më vrasë e shpresë nuk kam, por para tij do ta mbroj sjelljen time.
16 Ky do të jetë shpëtimi im, se i pafeu nuk del para tij.
17 Dëgjojeni mirë fjalën time e vërini vesh shpjegimit tim.
18 Ja, jam gati për gjykim, se e di se jam i drejtë.
19 Kush është ai që do të kapet me mua, se jam gati të hesht e të vdes.
20 Vetëm dy gjëra bëj e nuk do të fshihem prej teje:
21 largo dorën tënde prej meje e mos më tremb me tmerrin tënd.
22 Atëherë më pyet e unë do të përgjigjem, ose flas unë e ti m'u përgjigj.
23 Sa faje e mëkate kam? Ma trego shkeljen e mëkatin tim.
24 Përse e fsheh fytyrën tënde e më mban për armik?
25 A do ta tmerrosh gjethen që mbart era? A do ta ndjekësh pas bykun e thatë?
26 Se ti shkruan hidhur për mua e më ngarkon me fajet e rinisë.
27 Ti më vë prangat në këmbë, mbikëqyr tërë udhët e mia e gjurmët e këmbëve m'i heton.
28 Si kalbësirë mbaron njeriu, si petku që e bren tenja».