1«Më është velur jeta! Do ta shfryj ankimin tim, do të flas me shpirt të hidhëruar.
2Do t'i them Perëndisë: mos më ndëshko! Më trego pse po më gjykon!
3Të duket mirë të më shtypësh, të përbuzësh punën e duarve të tua e të përkrahësh synimet e të paudhëve?
4Mos vallë ke sy prej mishi e sheh siç shohin njerëzit?
5A janë ditët e tua si ditët e njerëzve e vitet e tua si moti i vdekatarëve,
6që heton fajin tim e shqyrton mëkatin tim,
7edhe pse e di se nuk kam faj e s'ka shpëtim prej dorës sate?
8Duart e tua më bënë e më krijuan, por ti më rrënon nga të gjitha anët.
9Kujtohu, pra, se si baltën më punove. A do të më kthesh sërish në pluhur?
10A nuk më pikove si qumështin e nuk më zure si djathin?
11Ti më veshe me lëkurë e me mish, ti më thure me eshtra e me deje.
12Më dhurove jetën e mirësinë, kujdesi yt ma ka ruajtur shpirtin.
13Por këto i fshihje në zemër, e di se kështu mendoje.
14Nëse mëkatoj, më shikon e nuk rri pa e ndëshkuar fajin tim.
15Nëse jam i paudhë, mjerë unë! Por edhe po të jem i drejtë, nuk e ngre dot kokën, se më mbuloi turpi e shoh veç pikëllim.
16Po ta ngre kokën, më mësyn si luan, kthehesh e kryen çudira kundër meje.
17Nxjerr para meje dëshmitarë të rinj, e shton zemërimin tënd me mua, i përtërin ushtritë kundër meje.
18Po përse më nxore nga barku i nënës? Të kisha vdekur pa më parë kush me sy!
19Do të kisha qenë si të mos isha, i bartur nga barku në varr.
20A nuk firojnë ditët e jetës sime? Më lër të gëzoj pak,
21para se të nisem për të mos u kthyer në dheun e territ e të terratisjes,
22në dheun e errësirës së thellë e të rrëmujës, ku edhe agu është si zymtësia».