1Profeci për Moabin: natën u rrënua Ar Moabi, krejt u shkatërrua; natën u rrënua Kir Moabi, krejt u shkatërrua!
2Shkuan në tempull për të qarë, Diboni u ngjit te faltorja në vend të lartë, për Nebonë e për Medebën vajton Moabi, të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.
3Nëpër udhët e tij janë veshur me grathore, nëpër pullazet e nëpër sheshet e tij të gjithë kanë filluar kujën, të gjithë po shkrihen në vaj.
4Heshboni dhe Elealehu po vënë gjëmën, vajtimi i tyre dëgjohet deri në Jahac, prandaj këlthasin luftëtarët e Moabit, u dridhet shpirti nga frika.
5Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e tij kanë mbërritur deri në Coar deri në Eglat Shlishijah, përpjetës së Luhitit ngjiten e vajtojnë, rrugës së Horonaimit kujë therëse lëshojnë.
6Ja, ujërat e Nimrimit shterën, bimësia u tha, bari u zhbi, gjelbërim nuk ka më.
7Prandaj, pasuritë e të mirat që mblodhën po i mbartin përtej përroit të Shelgjeve.
8U përhap britma në viset e Moabit, vajtimi i tij deri në Eglaim, gjëma e tij deri në Ber Elim.
9Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak. Por do t'ia shtoj të këqijat Dimonit: një luan për të ikurit e Moabit për ata që do të kenë mbetur në vend.