Hosea 13
1 «Kur Efraimi merrte fjalën, të kallte datën, përlëvdohej ai në Izrael, por për Baalin u bë fajtor e vdiq.
2 Edhe tani vazhdojnë të mëkatojnë, bëjnë për vete idhuj të metaltë, idhuj të argjendtë e të punuar, vepra mjeshtërish janë ato. Për ta thuhet: “Janë njerëz që flijojnë e viçat adhurojnë”.
3 Ndaj do të jenë si mjegulla e mëngjesit, porsi vesa që zhduket herët, porsi byku i lëmit që era largon, porsi tymi që nga tymtari del.
4 Unë, Zoti, jam Perëndia yt që në tokën e Egjiptit Perëndi tjetër nuk njeh pos meje, as shpëtimtar tjetër nuk ka.
5 Unë të njoha në shkretëtirë, në vendin e thatë.
6 I kullota e u nginë, si u nginë, ngritën krye, ndaj dhe më harruan.
7 Si luani do të bëhem për ta, si leopardi do të rri në pritë.
8 Do t'u turrem si arusha, që të vegjlit ia kanë rrëmbyer. Do t'ua shqyej zgavrat e kraharorit, do t'i përpij porsi luani, si egërsira që i bën copë e çikë.
9 U shkatërrove, o Izrael, se ishe kundër meje, kundër atij që të ndihmon.
10 Ku është mbreti yt tani që tërë qytetet të t'i shpëtojë? Ku janë gjyqtarët e tu, për të cilët the: “Më jep mbret e princa!”?
11 I mëritur, ta dhashë mbretin, i zemëruar, ta mora mbrapsht.
12 U shënua faji i Efraimit, u ruajt mëkati i tij.
13 Është si një foshnjë e marrë që në dhimbjet e lindjes nuk del në kohë nga barku i nënës.
14 A t'i shpaguaj nga dora e skëterrës? Nga vdekja a t'i shpengoj? Ku është, o vdekje, murtaja jote? Ku është, o skëterrë, shkatërrimi yt? Mëshira m'u fsheh prej syve!
15 E në begatoftë mes vëllezërve, do të vijë një erë përvëluese, erë e Zotit prej shkretëtirës, që burimet t'ia thajë, krojet t'ia shterojë, tërë thesaret e çmuara t'ia plaçkisë».