Zechariah 1
1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Zakari, birit të Berekjahut, të birit të Idoit:
2 « Zoti u zemërua shumë me etërit tuaj,
3 prandaj thuaju: kështu thotë Zoti i ushtrive, kthehuni tek unë, kumton Zoti i ushtrive, e unë do të kthehem te ju, thotë Zoti i ushtrive.
4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e mëparshëm u patën thënë: “Kështu thotë Zoti i ushtrive, kthehuni, pra, nga udhët e nga veprat tuaja të liga!”, por ata nuk dëgjuan e nuk më përfillën, kumton Zoti.
5 Ku janë etërit tuaj tani? Po profetët, a jetojnë përgjithmonë?
6 Por, a nuk u dolën etërve tuaj fjalët dhe urdhërimet që unë ua pata dhënë profetëve, shërbëtorëve të mi? Kështu, ata u kthyen e thanë: “ Zoti i ushtrive vërtet veproi me ne ashtu siç kishte vendosur të bënte për shkak të udhëve e veprave tona”».
7 Në ditën e njëzetekatërt të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shevatit, të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Zakari, birit të Berekjahut, të birit të Idoit.
8 Gjatë natës pashë një njeri duke kalëruar mbi një kalë të kuq. Ai qëndronte ndër mërsina, në luginë. Prapa tij ishin disa kuaj të kuq, të kuqërremë e të bardhë.
9 E unë thashë: «Çfarë janë këta, imzot?». Engjëlli që po më fliste më tha: «Do të t'i tregoj unë se ç'janë».
10 Njeriu, që po qëndronte ndër mërsina, tha: «Këta janë ata që Zoti ka dërguar për të përshkuar tokën».
11 Ata i thanë engjëllit të Zotit, që qëndronte ndër mërsina: «E përshkuam tokën e, ja, mbarë toka banon e qetë».
12 Atëherë engjëlli i Zotit u përgjigj: «O Zoti i ushtrive, edhe për sa kohë s'do të kesh mëshirë për Jerusalemin e për qytetet e Judës, kundër të cilëve e shfreve zemërimin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve?».
13 Zoti iu përgjigj me fjalë të mira e ngushëlluese engjëllit që po fliste me mua.
14 Engjëlli që po më fliste më tha: «Shpall e thuaj: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: jam plot xhelozi për Jerusalemin e Sionin.
15 Jam shumë i zemëruar me kombet moskokëçarëse. Unë isha i zemëruar vetëm pak, por ata u sollën edhe më keq.
16 Prandaj, kështu thotë Zoti: u ktheva drejt Jerusalemit me dhembshuri. Shtëpia ime do të ndërtohet atje, kumton Zoti i ushtrive. Litari matës do të fillojë të përdoret në Jerusalem”.
17 Shpall sërish: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: sërish qytetet e mia do të mbushen me të mira. Sërish Zoti do të ketë mëshirë për Sionin dhe sërish do ta përzgjedhë Jerusalemin”».