1Ku shkoi i shtrenjti yt, o e bukura ndër gra? Nga ktheu i shtrenjti yt, që me ty ne ta kërkojmë?
2Zbriti i shtrenjti im kah kopshti i vet, kah lehet e erëzave, kah kullotat e kopshteve, lilakë për të këputur.
3Të shtrenjtit tim i përkas unë e mua m'përket i shtrenjti im, ai që ndër lilakë kullot.
4E bukur je, o mikja ime, porsi Tirca, e hijshme si Jerusalemi, madhështore si flamujt e shpalosur.
5Hiqi sytë e tu prej meje, se m'i morën mendtë, flokët e tu si tufa e dhive, tatëpjetë Gileadit.
6Dhëmbët e tu si grigjë shqerrash të gjitha dalë nga larja mbarsur me binjakë, se asnjëra s'mbet pa pjellë.
7Porsi thelë shege janë mollëzat e tua përtej vellos sate.
8Gjashtëdhjetë janë mbretëresha, tetëdhjetë shemra e të panumërta vashat.
9E pashoqe është ajo, pëllumbesha ime, e përkryera ime, e vetme ajo për nënën e vet, që të dëlirë e lindi. E shohin vashëzat dhe e quajnë të lume. Mbretëreshat e shemrat lavde asaj i thurin.
10«Kush është kjo, që del si agu, e bukur si hëna e plotë, e çiltër porsi dielli, madhështore si flamujt e shpalosur?».
11Zbrita në kopshtin e arrave të shihja në vaun e bleruar në kish buluar hardhia e shegët në kishin çelur.
12S'di se si m'u ënd të rrija në qerren e popullit tim fisnik.