Song of Solomon 4AL1

1Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Si pëllumba sytë e tu për nën vellon tënde, flokët e tu si tufë dhish, shpatit të Gileadit,

2dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura, të gjitha dalë nga larja, mbarsur me binjakë, se asnjëra s'mbet pa pjellë.

3Porsi fije të kuqe janë buzët e tua e joshëse goja jote. Porsi thelë shege janë mollëzat e tua për nën vellon tënde.

4Qafa jote, si kulla e Davidit, ndërtuar me shtresa, ku varen një mijë shqyte me tërë mburojat e burrave trimoshë.

5Dy gjinjtë e tu si dy kaproj binjakë të drenushës, kullotës ndër lilakë.

6Pa pushuar era e ditës e para se të zhduken hijet, do të shkoj mbi malin e mirrës e mbi kodrën e temjanit.

7Krejt e bukur je, o mikja ime, e asnjë të metë ti s'ke.

8Me mua, o nuse, me mua nga Libani eja, zbrit nga maja e Amanasë, nga majat e Senirit e Hermonit, nga strofujt e luanëve, nga malet e leopardëve.

9Ti ma vodhe zemrën, motërza ime, nuse, ti ma vodhe zemrën veç me një shikim, veç me njërin varg të gushores sate.

10Sa të këndshme janë ato dhelet e tua, o motërza ime, nuse! Më dehëse se vera janë dhelet e tua. Të mermë vajrat e tu mbi të gjitha erëzat.

11Buzët e tua si hoje pikojnë, o nuse, nën gjuhë mjaltë ke e qumësht, porsi erë Libani era e petkut tënd.

12Kopsht i ndryrë je ti, o motërza ime, nuse, kopsht i ndryrë je ti e gurrë e vulosur.

13Njomëzat e tua janë kopsht shegësh me fryte të zgjedhura, me këna e nard,

14me nard e shafran, shavar e kanellë, me çdo bimë temjani, mirre, aloeje e me tëra kryeerëzat.

15Burimi i kopshtit, gurra e ujit të gjallë që rrjedh nga Libani!

16Ngrihu, o murrlan, eja ti, o jugë, fryni në kopshtin tim, që t'i përhapen erëzat e brenda kopshtit të vet të vijë i shtrenjti im e t'i hajë ai frytet më të mira.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Song of Solomon 4.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.