1Zoti mbretëron, le të dridhen popujt! Mbi kerubë është ulur, le të trandet toka!
2I madh është Zoti në Sion, i lartësuar mbi të gjithë popujt.
3Le ta përlëvdojnë emrin tënd të madh e të tmerrshëm, sepse është i shenjtë.
4Mbreti i fuqishëm e do drejtësinë. Ti e ke caktuar ç'është e drejtë, ti e ushtron gjykimin e drejtësinë te Jakobi.
5Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë, bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tij, se është i shenjtë.
6Moisiu e Aroni mes priftërinjve të tij, Samueli mes atyre që thërrasin emrin e tij, i thirrën Zotit e ai i dëgjoi.
7Nga shtylla e resë u fliste e ata i ruajtën dëshmitë e tij dhe rregullat që u kishte dhënë.
8O Zot, Perëndia ynë, ti i dëgjove ata, ti ishe për ta një Perëndi që fal, por edhe i ndëshkoje gabimet e tyre.
9Lartësojeni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, se i shenjtë është Zoti, Perëndia ynë.