1Zoti mbretëron, le të gëzojë toka! Le të ngazëllejnë ujdhesat e shumta!
2Reja e terri e mbështjellin, drejtësia dhe e drejta themeli i fronit të tij.
3Zjarr para tij, armiqtë rreth e qark i djeg.
4Vetëtimat e tij ndriçojnë botën; e sheh toka e trandet!
5Si dylli shkrihen malet para Zotit, para Zotit të mbarë tokës.
6Qiejt shpallin drejtësinë e tij, të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.
7U turpërofshin të gjithë ata që shtatoret adhurojnë, ata që me idhujt mburren! Adhurojeni Zotin gjithë ju perënditë!
8E dëgjoi Sioni e u gëzua, bijat e Judës u ngazëlluan, për gjykimet e tua, o Zot.
9Se ti, o Zot, je i Tejlarti mbi tërë tokën, ti u lartësove shumë më tepër se gjithë perënditë.
10O ju, që e doni Zotin, urrejeni të keqen! Ai i ruan shpirtrat e besnikëve të tij e prej dorës së të paudhëve i çliron.
11Drita lindi për të drejtin e gëzimi për zemërdrejtët.
12Ngazëlleni, o të drejtë, në Zotin, kujtoni e lavdëroni shenjtërinë e tij!