1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Zambakët». Dëshmi. Psalm i Asafit.
2Ti, o bari i Izraelit, mba vesh, ti që si grigjës i prin Jozefit, ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe.
3Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut ngrije peshë fuqinë tënde e eja të na ndihmosh.
4O Perëndi, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë.
5O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar ndaj lutjes së popullit tënd?
6I ke ushqyer me bukë lotësh, u ke dhënë të pinë kaq shumë lot.
7Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët, armiqtë tanë tallen me ne.
8O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë.
9Një hardhi prej Egjiptit shkule, dëbove kombe dhe e mbolle.
10Tokën për të gati e bëre, rrënjë hodhi e dheun mbushi.
11Hija e saj mbuloi malet, degët e saj cedrat e Perëndisë.
12Filizat e saj i shtriu deri në det, pinjollët e saj deri në lumë.
13Gardhin përse ia shthure, që të vjelë prej saj çdo kalimtar?
14E shkretoi derri i egër, aty kullotin egërsirat e fushës.
15Kthehu, o Perëndi i ushtrive, hidh sytë prej qiellit, vështroje e kujdesu për këtë hardhi,
16për atë që mbolli dora jote e djathtë, për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde.
17E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë; marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate.
18Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate, mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten.
19E ne nuk do të largohemi më prej teje, jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd.
20O Zot, Perëndi i ushtrive, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë.