1Himn i Asafit. Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi? Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?
2Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove, fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre, malin e Sionit, ku banesën vure.
3Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme, armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore.
4Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë, kanë ngritur emblemat e tyre.
5Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat brenda në pyllin e dendur.
6E tani me sëpata e me sakica po ia thyejnë të gjitha gdhendjet.
7I vunë zjarrin shenjtërores sate, e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd.
8E thanë me vete: «T'i shfarosim të gjithë!». I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë.
9Nuk i shohim më emblemat tona, as profet nuk ka më, e askush nga ne nuk e di edhe sa kohë do të zgjatë.
10Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku? Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd?
11Përse e ke tërhequr dorën tënde? Të djathtën tënde përse e mban në gji?
12O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi, ai që sjell shpëtimin mbi tokë.
13Me fuqinë tënde e ndave detin, përbindëshave të ujit u thërrmove kokën.
14Ti ia shtype kokën Leviatanit, ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës.
15Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj, ti thave lumenj të pashtershëm.
16Jotja është dita, jotja edhe nata, ti e krijove ndriçuesin dhe diellin.
17Ti i caktove tërë kufijtë tokës, ti e përftove verën edhe dimrin.
18Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar, se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd.
19Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate, mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu.
20Përfille besëlidhjen tënde, se vendet e errëta të tokës janë mbushur me strofka dhune.
21I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar, skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd.
22Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde, kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën!
23Mos e harro britmën e armiqve të tu, ulërimën e kundërshtarëve të tu, që ngjitet lart pa pushim.