1Mjeshtrit të Korit. Psalm i Davidit. Këngë.
2Ty, o Perëndi, të përket lavdia në Sion dhe për ty do të mbahet betimi.
3Te ti, që dëgjon çdo lutje, do të vijë çdo krijesë.
4Paudhësitë ngadhënjyen mbi ne, por ti na i fal shkeljet.
5Lum njeriu që ti zgjedh dhe e afron! Ai do të banojë në oborret e tua. Do të kënaqemi me mirësinë e shtëpisë sate, me tempullin tënd të shenjtë.
6Na përgjigjesh me mrekulli e drejtësi, o Perëndi, shpëtimtari ynë, shpresa e mbarë skajeve të tokës dhe e deteve të largët.
7Ti i ngul malet me fuqinë tënde, i ngjeshur me pushtet.
8Ti fashit tërbimin e deteve, ulërimën e valëve të tyre dhe trazirat e popujve.
9Banorët e skajeve të tokës dridhen nga shenjat e tua. Në lindje e në perëndim i bën të brohorasin.
10Ti kujdesesh për tokën dhe ujin, shumë të begatë e bën. Lumi yt është plot, o Perëndi, ti u jep njerëzve drithin, ti e bën gati tokën.
11Hullitë e saj i ngin me ujë, plisat ia thërrmon, me shira e zbut, të mbjellat ia bekon.
12Ti e kurorëzon vitin me mirësinë tënde, ku shkel ti rrjedh begatia.
13Kullotat e shkretëtirës gufojnë prej saj, kodrinat vishen me hare.
14Livadhet mbulohen me kope, luginat me drithë; brohorasin e këndojnë nga gëzimi.