Psalms 45AL1

1Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut», himn i bijve të Korahut. Këngë dashurie.

2Fjalë të mira më burojnë nga zemra, mbretit këngën time ia kushtoj, gjuha ime si pendë bukurshkruesi.

3Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve, nga buzët e tua rrjedh hijeshi, ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim.

4Ngjishe shpatën në ijë, o trim, për shkëlqimin dhe madhështinë tënde.

5Ec përpara me madhështi, për çështjen e së vërtetës kalëro, për butësinë e për drejtësinë. E djathta jote të dëfteftë mrekullira.

6Shigjetat e tua janë të mprehta për zemrat e armiqve të mbretit. Nën ty popuj do të bien.

7Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë, skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie.

8Ti e do drejtësinë, por urren paudhësinë. Perëndia të vajosi, Perëndia yt, me vaj ngazëllimi, si askënd nga shokët e tu.

9Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë, nga pallatet e tua të fildishta tinguj harpash të gëzojnë.

10Bija mbretërish ka në shpurën tënde, një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron, stolisur me ar Ofiri.

11Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh! Harroje popullin tënd e shtëpinë e atit tënd!

12Mbretit do t'i pëlqejë bukuria jote, ai do të jetë zotëria yt dhe para tij do të përkulesh.

13Bija e Tirit do të vijë me dhurata, të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd.

14Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi, rrobat e saj me ar qëndisur.

15Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit e pas i vjen shpura e virgjëreshave, shoqet, që para teje i paraqesin.

16I sjellin me gëzim e me hare, i çojnë në pallatin e mbretit.

17Pas etërve do të vijnë bijtë e tu, princa do t'i bësh në mbarë tokën.

18Do ta përkujtoj emrin tënd brez pas brezi, ndaj dhe popujt do të të falënderojnë përjetë e në amshim.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Psalms 45.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.