Psalms 37AL1

1Psalm i Davidit. Mos u zemëro nga keqbërësit, ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.

2Se ata do të thahen shpejt si bari, do të vyshken si barishtja e njomë.

3Beso në Zotin e bëj të mirën, bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.

4Gjeje kënaqësinë te Zoti e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

5Lëre udhën tënde në duart e Zotit, ki besim tek ai e ai do të veprojë.

6Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita, të drejtën tënde porsi mesdita.

7Hesht para Zotit e prite me durim, mos u zemëro me atë që i shkon mbarë, me njeriun që thur dredhi.

8Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit, mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.

9Se keqbërësit do të shfarosen, por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën.

10Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më. Do të shohësh për nga vendi i tij e nuk do të jetë më atje.

11Skamnorët do të trashëgojnë tokën e do të kënaqen me paqe të begatë.

12I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit e kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13Por Zoti do të qeshë me të, se e sheh që po i vjen dita.

14Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin, për të plandosur të mjerin e nevojtarin, për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.

15Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet, harqet e tyre do të thyhen.

16Më mirë ajo pak që ka i drejti, sesa pasuria e shumë të paudhëve.

17Krahët e të paudhëve do të thyhen, ndërsa të drejtët i përkrah Zoti.

18Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve, trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.

19Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie, të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.

20Por të paudhët do të marrin fund, armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës, si tymi do të fashiten.

21I paudhi merr hua e nuk e kthen, ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.

22Të bekuarit do të trashëgojnë tokën, të mallkuarit do të shfarosen.

23Se Zoti i forcon hapat e njeriut, kur i pëlqen udha e tij.

24Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet, se Zoti e mban për dore.

25Kam qenë i ri e tashmë jam plakur dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur, as pasardhësit e tij të lypin për bukë.

26Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua, pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.

27Kthehu prej së keqes, bëj të mirën dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28Se Zoti e do drejtësinë dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë, ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.

29Të drejtët do të trashëgojnë tokën e në të do të banojnë përherë.

30Goja e të drejtit ligjëron urti, gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.

31Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër, hapat e tij nuk do të lëkunden.

32I paudhi e përgjon të drejtin dhe kërkon ta vrasë.

33Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë.

34Prite Zotin e mbaj udhën e tij. Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën, dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.

35E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm, tek harlisej si pema tërë gjethe.

36Por ja që u shua e më nuk është, e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot.

37Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin, njeriut të paqes i përket e ardhmja.

38Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen, të paudhët nuk do të kenë të ardhme.

39Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit, ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.

40Zoti i ndihmon e i çliron, ai i çliron nga të paudhët e i shpëton, se tek ai gjetën strehë.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Psalms 37.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.