1Psalm i Davidit. Jepmë të drejtë, o Zot, se jetoj me ndershmëri. Në Zotin kam besim e s'kam për t'u lëkundur.
2Hetomë, o Zot, e provomë, mendjen dhe zemrën m'i shqyrto.
3Mirësinë tënde e kam parasysh, në besnikërinë tënde jetoj.
4Nuk kuvendoj me njerëz të pavërtetë, me shtiracakë nuk bëj shoqëri.
5Tubimet e të këqijve i urrej, me të paudhët nuk ulem.
6Duart i laj në pafajësi e rreth altarit tënd sillem, o Zot,
7që të shpall me zë të lartë lavdinë tënde, e të kumtoj të gjitha mrekullitë e tua.
8O Zot, e dua tempullin ku banon ti dhe vendin ku prehet lavdia jote.
9Mos e hidh tej shpirtin tim me të paudhët e as jetën time me gjakatarët.
10Me duar bëjnë paudhësi, të djathtën e mbushin me mita.
11Por unë jetoj me ndershmëri, shpengomë e mëshiromë.
12Këmba ime shkel në udhë të drejtë, mes bashkësisë do ta bekoj Zotin.