1Aleluja. Lavdëroni Zotin prej qiejve, lavdërojeni në lartësi.
2Lavdërojeni të gjithë ju, engjëjt e tij, lavdërojeni të gjitha ju, ushtritë e tij.
3Lavdërojeni, o diell dhe hënë, lavdërojeni të gjithë ju, yje vezullues.
4Lavdërojeni, o qiejt e qiejve, e ju ujërat përmbi qiej.
5Le të lavdërojnë emrin e Zotit, se ai urdhëroi e ato u krijuan.
6U caktoi vendin përjetë e në amshim, u dha ligje që nuk do t'i shkelin.
7Lavdëroni Zotin nga toka, ju përbindëshat e detit e gjithë humnerat,
8zjarri e breshri, dëbora e mjegulla, era e stuhishme, që zbaton fjalën e tij,
9malet e mbarë kodrat, pemët frutore e të gjithë cedrat,
10egërsirat e mbarë bagëtitë, zvarranikët e shpendët me flatra,
11mbretërit e tokës e mbarë popujt, princat e të gjithë sunduesit e tokës,
12djemtë e vajzat, pleqtë e të rinjtë.
13Le të lavdërojnë emrin e Zotit, se vetëm emri i tij është i madhërishëm, madhështia e tij tejkalon tokë e qiell.
14Ai i jep forcë popullit të vet, lavdi të gjithë besnikëve të tij, bijve të Izraelit, popullit që ka pranë. Aleluja!