1Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë.
2Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit, ata që prej dorës së armikut i shpengoi
3e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja, prej lindjes e prej perëndimit, prej veriut e prej anës së detit.
4Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë, pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar.
5Kishin uri, kishin etje, po u këputej shpirti.
6Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
7U priu në një udhë të drejtë, që në një qytet të banuar të shkonin.
8Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
9Se ai e ngiu shpirtin e të eturit, me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit.
10Banonin në errësirë e në terr, të robëruar në mjerim e në pranga.
11Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë, kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit.
12Prandaj ua përuli zemrën me mundime, u rrëzuan e s'kish kush t'i ndihmonte.
13Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
14Prej errësirës e prej territ i nxori, vargonjtë e tyre i këputi.
15Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
16Ai i copëtoi portat prej bronzi, shulat prej hekuri i theu.
17Ishin marrosur prej jetës së shthurur, ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre.
18Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi, kishin mbërritur te portat e vdekjes.
19Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
20Fjalën e vet dërgoi e i shëroi, prej gropës së varrit i shpëtoi.
21Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
22Le t'i kushtojnë fli falënderimi, le të shpallin veprat e tij me ngazëllim.
23Ata që lundrojnë në det me anije, që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti,
24ata i kanë parë veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi.
25Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme, dallgët e detit lart u ngritën.
26Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë, shpirti u këputet prej rrezikut.
27Lëkunden e dridhen si të dehur, tërë mjeshtëria u është sosur.
28Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit dhe ai i nxori prej mjerimeve.
29Stuhinë e bëri bunacë, u qetësuan valët e detit.
30Prej qetësimit të valëve u gëzuan, në limanin e dëshiruar ai u priu.
31Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij, për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
32Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit, le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve.
33Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë, burimet e ujërave në vend të thatë.
34Tokën pjellore e ktheu në kripore, për shkak të ligësisë së banorëve të saj.
35Shkretëtirën e shndërroi në liqen, tokën e thatë në burime ujërash.
36Atje i strehoi të uriturit, atje ngritën qytete për të banuar.
37Mbollën ara, mbëltuan vreshta, që dhanë prodhim të mbarë.
38I bekoi e fort u shumuan, bagëtinë nuk ua pakësoi.
39Por mandej u mpakën e u poshtëruan prej mundimit të mjerimit e dhimbjes.
40Përçmim hodhi mbi prijësit, i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
41Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi, familjet ua shtoi porsi bagëtitë.
42Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë, çdo paudhësi gojën do të mbyllë.
43Kush është i urtë le t'i ruajë këto e mirësinë e Zotit le ta kuptojë.